I papërsëritshmi Totti!

Sport March 30, 2017 - 10:31

“Princi” është ikona e Romës, është kapiteni legjendar dhe ndër futbollistët e rrallë i cili tërë karrierën e ka bërë aty ku edhe e ka filluar. Totti është vetë Roma!

Plot 24 vjet më parë legjenda e futbollit italian Francesco Totti e ka nisur karrierën, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Karrierën e nisi në qytetin e tij, në të cilin u lind më 26 shtator të vitit 1976, shkruan sot gazeta Zëri.

Për Romën debutoi më 28 mars 1993, në ndeshjen kundër Brescias, të cilën romakët e fituan me rezultat 2:0. "Jam ngritur nga banka, e kam bërë nxehjen rreth 10 minuta dhe jam futur në lojë.

E kam prekur topin vetëm disa herë. Kam qenë tepër i lumtur dhe i emocionuar", e përshkruan Totti debutimin e tij.

Refuzoi klubet më të mëdha

Totti i ka mbetur besnik Romës pavarësisht faktit që ka pasur oferta nga Real Madrid, Milan, Chelsea dhe shumë skuadra të mëdha evropiane.

"27 vjet më parë në derën tonë kishin trokitur disa njerëz. Nëna ime nuk i kishte njohur, ishin prezantuar si njerëz të Milanit. Mirëpo, në Romë janë vetëm dy mundësi ose je i kuqërremtë, ose je i kaltër. Në familjen time ka qenë vetëm një mundësi. Roma ka qenë zgjidhja e vetme. Roma është më tepër se një klub futbolli. Është pjesë e familjes sonë, është në gjakun tonë, në zemrën tonë. Si 7-vjeçar kam shkuar për herë të parë në 'Olimpico'. Edhe sot kur i mbylli sot më kujtohet ajo pamje, tifozët, atmosfera. Që nga ajo ditë gjithçka ka hyrë nën lëkurën time. Nuk di si ta përshkruaj. Bellissimo (bukuroshe), kjo është e vetmja fjalë që thotë gjithçka për Romën", thekson “Princi” romak.

Familja mbi gjithçka

Totti sot është 40-vjeçar dhe me krenari e udhëheq Romën me të cilën e ka fituar vetëm një titull (2011), dy Kupa dhe dy Superkupa.

Është paraqitur në 778 ndeshje dhe ka shënuar 307 gola.

"Milani ka qenë skuadra e parë e madhe që është interesuar për mua. Por, nëna ime nuk ka pasur dilemë. Ajo është pyetur. Edhe sot është shefi. Si çdo nënë italiane, ka qenë shumë e përkushtuar. E dini si janë nënat... 'Jo, jo, jo', u kishte thënë përfaqësuesve të Milanit. 'Më vjen keq, por jo, jo, jo". Kaq ka zgjatur biseda". Që nga e hëna deri të premten në shtëpi komandant është nëna. Në fundjavë, mua dhe vëllain na dërgoi babai në stadium. Sa shumë biseduam, ishte vështirë të refuzohej Milani, do të fitonim shumë para... Mirëpo, të njëjtën ditë nëna më dha një leksion. Familja është më shenjtë se gjithçka", rrëfen Totti.

Image

Ëndrra e realizuar

Vetëm pak javë më vonë kishte nisur aventurën te Roma.

"Aty nëna nuk kishte pasur dilemë. Ka sakrifikuar shumë që unë të jem çdo ditë në stërvitje. Ajo më ka ndihmuar shumë, më ndihmon edhe sot. Vitet e mia të para në futboll kanë qenë të vështira për të. Ajo më dërgonte në stërvitje, më priste derisa i përfundoja. Ka pritur nga dy-tri, ndonjëherë katër orë. Ka pritur në shi, në të ftohtë.., por asgjë nuk e ka penguar. Ka pritur që djali i saj ta realizojë ëndrrën", kujton Francesco ditët e para si futbollist.

Mendimi për t'u larguar

Totti e pranon se ka pasur edhe momente të vështira, ka pasur presion, por edhe privilegj.

“Natyrisht ka pasur edhe momente kur e kam menduar largimin, për shembull 12 vjet më parë kur më kërkoi Real Madridi. Kur të kërkon një klub i tillë, ndoshta më i madhi në botë fillon të mendosh si është jeta atje. Kam biseduar me presidentin e Romës dhe ai e ka pasur ndikimin e tij, por biseda me familjen ka qenë vendimtare. Shtëpia është gjithçka. Roma është shtëpia ime për këto 39 vjet. Si futbollist e kam shtëpi për 25 vjet. Në çdo ndeshje që kam luajtur, në çfarëdo gare, shpresoj ta kem prezantuar mirë. Shpresoj t'u kem bërë të ndiheni krenarë. Kur të largohem do të më mungoj shumëçka, më së shumti koha e kafes me bashkëlojtarë. Ndoshta një ditë kthehem si drejtor sportiv, ndoshta sërish do t'i shijoj ato ditë", shprehet Totti.

"Njerëzit shpeshherë më pyesin: Përse tërë karrierën, tërë jetën në Romë? Sepse Roma është familja ime, miqtë e mi, njerëzit që i dua. Roma është qytet. Roma është det. Roma janë malet, përmendoret. Romë janë natyrisht romakët. Roma është verdhekuq. Roma për mua është bota. Ky klub, ky qytet - kjo është jeta ime". /Zëri/