Trepça - Besa, Drenica - Llapi: Pa fitues

Sport March 29, 2017 - 15:54

Besa e Pejës e ka bërë një hap shumë të madh drejt kualifikimit në finale të Kupës së Kosovës në futboll. Kjo pasi skuadra pejane të mërkurën ka arritur të barazojë në ndeshjen e parë gjysmëfinale si mysafire e Trepçës me rezultat 2:2.

Mysafirët herët paralajmëruar se në Mitrovicë kishin udhëtuar për rezultat pozitiv, pasi në minutën e 6-të kaluar në epërsi prej 0:1 përmes Qemail Elshanit, raporton "Zëri.info" 

Mirëpo, mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe në minutën e 40-të barazuan shifrat në 1:1 me golin që e realizoi Pleurat Hajdini. Megjithëkëtë, në minutën e 64-të Besa arriti të kalojë sërish në epërsi me golin e shënuar nga Florent Qorraj. Ky gol i pësuar veç çka e bëri më të fortë Trepçën, e cila u hodh në sulm. Dhe pas dy shtyllave të qëlluara, në tentativën e tretë mitrovicasit arritën të shënojnë për 2:2 nëpërmjet Egzon Qerimit.

Vendasit kërkuan mrekullinë në minutat e fundit, gjë që nuk e lejoi Besa, e cila ndeshjen kthyese do ta zhvillojë si vendase më 19 prill në Pejë, ku do të vlerësohet si favorite për të shkuar në finale. Trepça po lufton për mbijetesë në Superligë, kurse Besa kampionatin e kishte nisur duke e synuar titullin, por herët e kishte humbur hapin, me ç’rast i është përkushtuar maksimalisht garës për Kupën e Kosovës, trofe ky që çon në kualifikimet për Ligën e Evropës.

S’ka fitues në Skenderaj, vendoset në Llap

Në anën tjetër, ndeshja tjetër e fortë ndërmjet Drenicës dhe Llapit ka përfunduar pa fitues, por nuk ka prodhuar as gola. Nuk kanë munguar tentativat për të shënuar gola, sidomos nga Drenica, por ato ishin të pasuksesshme, raporton "Zëri.info".

Sidoqoftë, ky rezultat ka lënë mundësi për një luftë të madhe në ndeshjen kthyese gjysmëfinale e cila do të zhvillohet ndërmjet tyre në Podujevë, ku për një nuancë mund të favorizohet Llapi vendas, i cili ka ngelur në luftën për titull, por objektiv të domosdoshëm e ka Kupën. /Zëri/