Fitoret nuk vijnë pa ua bërë hyzmetin!

Sport March 29, 2017 - 13:15

Etja për fitore çdo ditë e më shumë po u shtohet Kosovës dhe kosovarëve. Por, shuarjes së etjes nuk po i bëhet “hyzmeti”. Përfaqësuesja kosovare nuk ka zhvilluar ndeshje miqësore gati qe një vit ndonëse ka shumë nevojë sesa të gjitha kombëtaret e tjera, të cilat luajnë thuajse pa ndërprerë, ani pse moti janë formuar.  Skuadra e Albert Bunjakit e ka të pamundur të organizojë miqësore në Kosovë shkaku i mungesës së një stadiumi që Kosova dhe kosovarët nuk ishin në gjendje ta bëjnë qe 18 vjet. Kurse, vendet evropiane nuk janë të gatshme t’u bëjnë konak miqësoreve të Përfaqësueses sonë për shkaqe të sigurisë. Kështu, fitoret nuk vijnë vetë, ndërsa humbjet po na i sjellin të tjerët që ia bëjnë hyzmetin triumfit të vet

Etja për ta shënuar fitoren e parë në kampanjën kualifikuese të botërorit “Rusia 2018” çdo ditë e më shumë po shtohet te Kosova dhe te kosovarët.

Por, në anën tjetër nuk po i bëhet “hyzmeti” i duhur plotësimit të dëshirës, shkruan sot gazeta Zëri.

E vërteta është se as pas 18 vjet pas luftës Kosova dhe kosovarët nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë një stadium, i cili do t’i plotësonte qoftë edhe kushtet minimale për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare.

Në mungesë të një stadiumi të tillë Përfaqësuesja kosovare lëre që është detyruar ndeshjet kualifikuese për Botëror t’i zhvillojë jashtë Kosovës, por e ka të pamundur të aranzhojë edhe lojë miqësore, që janë të domosdoshme për rritjen dhe komponimin e një skuadre.

Kosova kampanjës kualifikuese i ka paraprirë me miqësoren kundër Ishujve Faroe, të cilën e pati zhvilluar në Frankfurt në qershor të vitit të kaluar.

Prej atëherë nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje tjetër kontrolluese, të cila janë të nevojshme për një skuadër si ajo e Albert Bunjakit në ndërtim e sipër sesa për çdo kombëtare tjetër.

Ndërkohë, reprezentuesit tanë kanë vazhduar me lojë zyrtare kualifikuese pa bërë teste tjera, pavarësisht ardhjeve të vazhdueshme të lojtarëve të rinj.

Kosova ka pësuar humbje në grupin e saj kualifikues nga Kroacia, Ukraina, Turqia e së fundmi nga Islanda, të gjitha këto pjesëmarrëse në kampionatin evropian “Franca 2016”.

Përpos përgatitjeve të shumta para Evropianit, stërvitjeve dhe ndeshjeve të shumta edhe në “Euro 2016”, ato me ritëm të njëjtë kanë vazhduar edhe para dhe gjatë kualifikimeve të Botërorit.

Të premten e kaluar Kosova dhe Islanda e zhvilluan ndeshjen e radhës kualifikuese për Botëror, pas atyre që i zhvilluan në nëntor.

Për Kosovën ndeshja kundër Turqisë ishte e fundit. Derisa Kosova pushonte, islandezët e kishin luajtur katër miqësore, të cilat sigurisht se i kanë ndihmuar në fitoren prej 2:1 ndaj kosovarëve.

Gjatë gjithë dimrit edhe Kosova ka bërë përpjekje për të gjetur kundërshtar, por pa sukses, shkruan Zëri.

Nuk ishte në gjendja ta bindë ndonjë kombëtare që të zbresë në vendin tonë ku nuk ka stadium.

Kurse, vendet evropiane nuk ishin të gatshme t’i bënin konak ndonjë mysafireje të Kosovës për shkaqe të sigurisë në një kohë kur e gjithë Evropa ndihet e kërcënuar dhe e rrezikuar nga ndonjë sulm terrorist.

Së fundmi Gjermania kishte refuzuar ta priste një miqësore të tillë. E, mungesën e miqësorëve më së miri e vëren përzgjedhësi, Albert Bunjaki.

“Sigurisht, për ne zhvillimi i miqësoreve do të ishte një lehtësim dhe do ta përshpejtonte procesin që e kemi nisur. Do t’i testonim lojtarët që nuk kanë pasur hapësira dhe që nuk i njohim sa duhet, pasi nuk e kanë pasur mundësinë të kenë minutazh me ne. Do të ishte më e lehtë, definitivisht”, ka deklaruar Bunjaki për “Zërin”.

“Ekipi nuk është ende i koordinuar dhe na nevojitet vazhdimësia. Nuk është pozitive që nuk po mund të luajmë ndeshje miqësore, derisa Islanda deri më tash i ka zhvilluar për shembull katër miqësore e ne asnjë. Ne jemi munduar t’i afrojmë krejt talentet më të mëdhenj në Evropë. Kemi ekip edhe për pas 10 vjetësh”, u shpreh ai.

Bunjaki kujton se nuk është aspak e lehtë të organizosh ndeshje kundër një shteti tjetër në një shtet të tretë. “Deri më tash kjo nuk ka qenë e mundur të bëhet pasi nuk e kemi stadiumin tonë dhe është e vështirë të gjesh terren për miqësore jashtë vendit. Sidoqoftë, FFK-ja është angazhuar dhe po angazhohet përsëri, në mënyrë që ta kemi një miqësore në qershor, kur do të luajmë edhe me Turqinë në eliminatoret e Botërorit. Do të ishte mirë ta kemi një lojë para ndeshjes me turqit”, përfundon Bunjaki. /Zëri/