Kosova, paushall

Sport March 29, 2017 - 13:13

Përfaqësueset e Kosovës në futboll sikur po funksionojnë paushall e të pakoordinuara ndërmjet vete.

Analistët kanë vërejtur mungesën e një strategjie, e cila vlerësohet e domosdoshme për Kosovën, shkruan sot gazeta Zëri.

Derisa selektorit të Përfaqësueses A, Albert Bunjakit, nuk ia mbushin syrin futbollistët e kampionatit të Kosovës e po ashtu përzgjedhësit të ekipit -19 përfaqësues, Ramiz Krasniqit, çuditërisht skuadra shtetërore U-21 e Rafet Prekazi është ndërtuar mbi bazën e lojtarëve të Superligës kosovare.

“Nëse selektori U-19, Ramiz Krasniqi, deklaron hapur se Superliga e Kosovës nuk mund të prodhojë momentalisht lojtarë për reprezentacion, a mund kjo të kuptohet se reprezentacioni momentalisht ua ka mbyllur dyert lojtarëve të Superligës?!”, pyet trajneri i njohur, Agron Selmani.

“Nëse selektori i ekipit U-21, Rafet Prekazi, bazamentin e reprezentacionit e ka ndërtuar me lojtarë nga Superliga e Kosovës, a do të thotë se reprezentacioni kosovar objektiv i ka lojtarët e Superligës kosovare si një aset i rëndësishëm futbollistik?!”, pyet sërish Selmani, për të vazhduar me pyetjen tjetër se a ka strategji unike veprimi.

“A ka një strategji unike për reprezentacionin e Kosovës me nivelet e saj apo ato janë të parcializuara dhe veprojnë autonom veçmas për çdo nivel të reprezentacionit?”, shton trajneri ferizajas. Selmani thotë se përgatitja e një strategjie është diçka e domosdoshme.

“Strategjia në futboll përfaqëson një zgjidhje sistematike dhe një planifikim për objektivat e ardhshme. Strategjia në futboll nënkupton aplikimin e disa veprimeve apo masave nga fusha të ndryshme (teknike, taktike, kondicioni, rregullat e lojës, sistemi i garave, numri i klubeve në sistemin e garave, cilësia e garave, etj.) me qëllim të realizmit të objektivave të ardhshme”, potencon ai.

Sipas Selmanit, rol të rëndësishëm në këtë strategji do të duhej të luanin edhe klubet kosovare.

“Cili është roli apo detyra e klubeve me akademitë e tyre të futbollit në implementimin e strategjisë së futbollit të Kosovës? A janë të planifikuara klubet në strategji apo ato momentalisht nuk janë të planifikuara deri në një afat të caktuar kohor?!”, shton ai.

Selmani shprehet i shqetësuar edhe me klimën e krijuar në të cilën debatohet për tema të tilla në interes nacional.

“Debatet po personalizohen për çdo fjalë me pikë e presje. Prandaj edhe deklarimet individuale të trajnerëve po interpretohen ne stilin ‘Nëse nuk je me mua, je kundër meje!’”, thotë ai. /Zëri/