Thaqi: Do të mundohemi të mos e humbim asnjë ndeshje

Sport March 29, 2017 - 12:42

Bordi i FC Prishtinës ka vendosur ta emërojë kryetrajner, menaxherin e deritanishëm të shkollës së futbollit të këtij klubi, Arsim Thaqi, shkruan zeri.info.

Bardhekaltrit konsiderojnë se Thaqi e njeh mjaft mirë skuadrën pasi është në klub tash e një vit dhe ka kontratë me klubin edhe një vit tjetër, ndërsa ka licencën UEFA Profi, prandaj e shohin atë si njeriun ideal për ta udhëhequr ekipin në vazhdim të sezonit.

Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së kryetrajnerit deri tash, Lutz Lindemann, mbetët drejtor sportiv i FC Prishtinës.

“Për mua është pak befasi ky emërim, sepse faktikisht unë kam pasur një marrëveshje me Prishtinën që të jem një lloj menaxheri që nga shkolla deri te ekipi i parë, sidomos me zhvillimin e të rinjve. Realisht, duke u bazuar edhe në kontratën dyvjeçare që kam me Prishtinën, klubi e ka paraparë që unë të jem pjesë e Prishtinës dhe që në fund të sezonit t’i analizojmë problemet që kemi pasur, si dhe nivelin e lojtarëve dhe gjërat që duhet ndryshuar për të ardhmen”, ka thënë Thaqi pasi e mori pozitën e re.

“Pra, sipas klubit, person adekuat kam qenë unë dhe mbase jam trajner me fat në këtë moment. Por, është edhe një sfidë dhe rrezik për shkak se në këto rrethana për të ndërtuar karrierë është pak e vështirë, sepse kur e merr ekipin nga fillimi janë rrethana dhe gjëra krejt tjera duke e përgatitur ekipin në filozofinë që ka trajneri. Por, po ashtu, është përparësi, sepse unë kam qenë afër, këtu në klub, duke parë të gjitha ndeshjet, duke i njohur të gjithë futbollistët. I kemi edhe 11 ndeshje. Me rëndësi është që mos ta humbim asnjë ndeshje”, ka shtuar ai. /Zëri/