'Illyrian Elite' nuk ndalen, shfaqen brenda stadiumit

Sport March 28, 2017 - 21:05

Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që të përjashtonte grupimin “Illyrian Elite” nga ndeshjet e Kombëtares si dënim për prishjen e imazhit të Shqipërisë në ndeshjen në Palermo.

Por pavarësisht bujës që bëri ky vendim i FSHF-së, në realitet, asgjë nuk ka ndryshuar.

“Illyrian Elite” nuk kanë munguar as në takimin e sotëm kundër Bosnjë Hercegovinës dhe nuk kanë ngurruar që të bëjnë të ditur praninë e tyre edhe me një postim në Facebook.

Duket se urdhëresa e FSHF-së nuk u kishte shkuar forcave të sigurisë në stadium, ose këta të fundit kanë vendosur të tolerojnë në këtë ndeshje, pasi grupimi në fjalë nuk u fsheh aspak, përkundrazi. 

Të pozicionuar në një vend të dukshëm në Tribunën C të stadiumit, ata u paraqitën me fanellat me logot e tyre, për të bërë të qartë se nuk frikësoheshin kurrsesi nga kërcënimi i FSHF-së i cili në rastin konkret rezultoi bosh./Albeu.com/