Dorëzohet Shqipëria e përçarë

Sport March 28, 2017 - 14:12

Gjatë verës së kaluar shqiptarët ndiheshin krenarë si asnjëherë më parë, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo pasi Kombëtarja Shqiptare për herë të parë mori pjesë në një kampionat evropian, në të cilin madje i përfaqësoi denjësisht gjithë shqiptarët.

Por, disa muaj më vonë e njëjta skuadër, të njëjtit futbollistë dhe i njëjti trajner po i zhgënjejnë shqiptarët. Kuqezinjtë po paraqiten zbehtë në kualifikimet për kampionatin botëror “Rusia 2018”.

Dy humbjet rresht të pësuara fillimisht nga Izraeli e së fundmi edhe nga Italia ia kanë humbur të gjitha gjasat Shqipërisë për të marrë pjesë për herë të parë edhe në një botëror.

Por, ky nuk është zhgënjimi i vetëm që të dekoruarit me titullin e heronjve zhgënjejnë keq “Shqiponjat”.

Shqiptarët janë të shqetësuar edhe me situatën e krijuar në skuadër, në të cilën janë krijuar shumë tensione, ndarësi e përçarje.

Në fokus të opinionit shqiptar, por edhe të huaj aktualisht është “kapja fyt për fyti” ndërmjet Taulant Xhakës dhe Gianni de Biasit.

Konflikti mes tyre nisi para lojës me Italinë, ndërsa ai po shkon duke u thelluar.

Derisa Taulant Xhaka doli publikisht me akuza të ashpra ndaj trajnerit të tij në Kombëtaren Shqiptare, Gianni de Biasit, për të cilin madje tha se i interesojnë paratë më shumë sesa interesi kombëtar shqiptar, menjëherë është kundërpërgjigjur italiani.

Përzgjedhësi i kuqezinjve ka thënë se Xhaka nuk është i shenjtë për skuadrën e tij dhe nuk është as Pele, as Maradonë.

“Pasi nuk ka luajtur ndaj Italisë, Xhaka më ka dërguar një mesazh ku më thoshte se po kthehej në Basel për t’u stërvitur atje. I thashë në rregull, pasi ai nuk është shenjtor, as Maradonë dhe as Pele. Në Shqipëri të gjithë janë të barabartë”, ka deklaruar De Biasi.

“Veprimi i Taulantit nuk më erdhi i papritur, pasi ai ka bërë gjeste të pahijshme edhe në ‘Euro 2016’ për shkak se ishte zëvendësues”, vazhdoi tutje De Biasi, duke sqaruar se për ndeshjen me Italinë kishte plane të tjera taktike, pa Xhakën.

Ky i fundit vështirë se do të pranojë të kthehet nën urdhrat e De Biasit. Por, as italiani nuk është fort në zor për të.

“A i ka dyert e hapura në Kombëtare? Kjo është në dorën e tij, jo në dorën time”, ka potencuar ai. De Biasi ka mohuar të ketë probleme edhe me Amir Abrashin. “Me të ka zero probleme”, ka thënë italiani.

Problemet e brendshme mund t’i kushtojnë Shqipërisë me përfundim të keq në grupin e saj kualifikues, pasi gjasat për të shkuar në “Rusia 2018” tashmë i ka humbur. “Kështu duket.

Por e kam thënë që në fillimin e kualifikimeve se ne normalisht nuk do të kishim mundësi me këtë grup”, nënvizoi De Biasi. /Zëri/