'Dardanët': Jemi të pastër politikisht e financiarisht

Sport March 28, 2017 - 14:11

Banderola (baneri) “Kosovo is Kosovo”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Kosova është Kosovë” ka shkaktuar rrëmujë të madhe në mesin e “Dardanëve”, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo pasi disa grupe të mëdha të tifozëve kanë filluar të largohen nga grupi i tifozëve të Kosovës, duke u distancuar nga ajo moto, pasi për ta “Kosova është Shqipëri”.

Situata e krijuar ka bërë që tifozët edhe të thumbohen ndërmjet vete, ndërsa “Dardanët” vazhdojnë të lëshojnë komunikata të ndryshme.

Një të tillë e ka lëshuar për opinionin edhe kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha.

Ky i fundit thotë se “Dardanët” janë tifozë të Kosovës e jo të regjioneve apo klubeve dhe si të tillë kryesia e tyre ka nga një anëtar nga të gjitha regjionet e Kosovës.

Berisha mohon të ketë lejuar politizimin e “Dardanëve” dhe çfarëdo ndërhyrje tjetër politike.

“Sa i përket përzierjes sime në politikë dhe afrimit tim me LDK-në, nuk është aspak e vërtetë. Takimet e mia janë kryesisht institucionale me kryeministrin (LDK), kryeparlamentarin (PDK), Ministrin e Sportit (LDK), presidentin (PDK), ndërsa me Ramush Haradinajn kam një simpati nga UÇK-ja, si pjesëtar i kësaj lufte takohemi shpesh”, thotë Berisha.

“Në kryesi të ‘Dardanëve’, ju pëlqen apo jo, janë njerëz që tërë jetën janë marrë me tifozllëk nëpër qytetet e tyre”, ka theksuar ai. Berisha e ka arsyetuar edhe përdorimin e flamurit dardan të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugovës.

“Sa i përket flamujve të partisë në zyrën tonë nuk ka të tillë, përpos flamurit të Dardanisë e që lidhet me emrin ‘Dardanët’, pastaj flamurin shtetëror dhe atë kombëtar”, ka theksuar ai.

Berisha ka folur edhe për çështje financiare, duke mohuar akuzat për keqpërdorime apo përfitime personale.

“Sa i përket keqpërdorimeve financiare me bileta janë shumë të pavërteta sepse në asnjë ndeshje, edhe pse na kanë ofruar bileta falas organizatorët e ndeshjeve, ne nuk i kemi pranuar, vetëm e vetëm që të mos etiketohemi, sikur ju që jeni duke u përpjekur. Ndërsa, për këtë informacion të gabuar mund t’i kontaktoni organizatorët e ndeshjeve dhe FFK-në”, ka potencuar prijësi i “Dardanëve”.

Ai ka folur edhe për zyrën e “Dardanëve” dhe gardërobën elegante të prijësve të tyre. “Sa i përket zyrës dhe kravatave duhet të dihet se çdo tifozeri e ka zyrën (shtabin) e vet dhe uniformën  ‘kravatat’ i veshim sipas nevojës”, ka nënvizuar ai. /Zëri/