Kemi fituar identitet, po na respektojnë

Sport March 28, 2017 - 12:48

Përfaqësuesja e Kosovës ndoshta nuk po arrin rezultate të mira, por statistikat e saj në eliminatoret e “Botërorit 2018” janë mbresëlënëse. Valon Berisha me shokë kanë krijuar raste të qindpërqindta në çdo ndeshje, ndërkohë që ka qëlluar edhe shtylla, ka ndodhur ta dominojë kundërshtarin me posedim të topit dhe me pasime. Përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se Kosova po tregohet e guximshme dhe se nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari. Ai insiston se ekipi është në rritje e sipër dhe shprehet i bindur se Verdhekaltrit mund të befasojnë në këto eliminatore

Përfaqësuesja e Kosovës i ka zhvilluar pesë ndeshje deri më tash në eliminatoret e “Botërorit 2018”, duke regjistruar një barazim dhe katër humbje.

Po t’i shohësh këto rezultate, pa u futur në detaje, mund të mendosh se asgjë nuk ka shkuar si duhet për Përfaqësuesen më të re të Evropës.

Mirëpo statistikat flasin ndryshe, nëse shikohen të gjitha aspektet, shkruan sot gazeta Zëri.

Pavarësisht humbjeve, ekipi kosovar nuk ka qenë asnjëherë inferior ndaj kundërshtarit, duke krijuar raste dhe duke e kërcënuar vazhdimisht ekipin tjetër.

Përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se skuadra e tij ka treguar vazhdimisht guxim dhe se nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari. Statistikat e mira, shton ai, kanë bërë që trajnerët kundërshtarë të kenë respekt për ekipin që ai e drejton.

“Me Ukrainën e kishim përqindjen e mbajtjes së topit 61:39 dhe kishim 400 pasime për dallim nga ta, që kishin 260. Me Kroacinë kemi humbur, por kishim gjashtë shanse dhe dy penallti që s’na janë dhënë. Një penallti e pastër nuk na u dha as ndaj Islandës së fundmi dhe kemi qëlluar edhe shtylla. Ne po bëjmë lojë me kreativitet dhe guxim. Trajnerët tjerë i dinë statistikat, prandaj kanë respekt për ne”, u shpreh Bunjaki fillimisht për “Zërin”.

Image

Nuk e brengosin kritikat

Bunjaki po qëndron në Kosovë dhe ka dëgjuar kritika nga të gjitha anët. Mirëpo, ai nuk po merret shumë me to pasi thotë se do ta vazhdojë rrugën e nisur, shkruan Zëri.

“Nuk janë krejt kritika, pasi po marr edhe lëvdata në Kosovë nga njerëzit që po i takoj, përpos lëvdatave që vijnë nga jashtë vendit. Falë kritikave ne kemi punuar edhe më shpejt dhe ua kemi parë hairin atyre. Unë kam menduar se në vitin 2018 do ta kemi gjendjen ku jemi sot, pra jemi një vit përpara me kohë. I kemi pruar tre lojtarë të rinj së fundmi, e kemi grupmoshën më të re në botë. Zhvillimi i Kombëtares po shihet, jemi duke u zhvilluar, edhe rezultatet do të vijnë. Është e drejtë e secilit ta shprehë mendimin e tij, por ne do ta vazhdojmë rrugën e nisur”, vazhdoi Bunjaki.

Sipas tij, me kundërshtarë që ishin pjesë e Evropianit, madje që shkuan deri në çerekfinale, nuk mund të presësh më shumë.

Përndryshe, e përsërit faktin se kualifikimet për Botëror do të shërbejnë për të bërë përvojë, në mënyrë që më pas Kosova ta kërkojë kualifikimin në “Evropianin 2020”.

“Ekipi nuk është ende i koordinuar 100 për qind. Por, besoj se deri më tash ka pasur performancë maksimale, kjo shihet. Sidoqoftë, as kjo nuk mjafton kur kundërshtari është superior, kemi luajtur me një Islandë që ishte çerekfinaliste në Evropian. Me Turqinë kemi humbur 2:0, por ishim afër befasisë. Tash e tutje do të ballafaqohemi me kombëtare që kemi luajtur deri tash dhe do ta shohim se ku ishim dhe ku jemi”, vazhdoi ai.

“Kosova ka fituar identitet dhe respekt tek ekipet tjera. Deri në fund të këtyre kualifikimeve do të mundohemi të ballafaqohemi me të gjitha ekipet, me të gjitha forcat tona dhe do të mundohemi të nxjerrim rezultat pozitiv dhe të befasojmë, në atë rrugë jemi. Po përfitojmë eksperiencë dhe kjo është më e rëndësishmja. Deri në fund të kësaj kampanje do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë edhe për ta përmirësuar pozitën në renditjen e FIFA-s”, përfundoi Bunjaki.

Në qershor ai shpreson t’i ketë në dispozicion Florent Hadërgjonajn, i cili do ta përforconte krahun e djathtë të mbrojtjes, dhe Loret Sadikun, i cili do të ishte zemra e mbrojtjes së Kosovës. /Zëri/