Italianët e provokuan, De Biasi u doli në mbrojtje shqiptarëve

Sport March 26, 2017 - 22:04

Në përfundim të ndeshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, media italiane u kushtuan rëndësi incidenteve të tifozëve, që detyruan edhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta.

Në fakt, një provokim iu bë edhe trajnerit Gianni de Biasi, ku një prej gazetarëve i tha: “Na kishit premtuar një Shqipëri tjetër në dy këndvështrime dhe nuk e pamë në asnjërin prej tyre. As në fushën e lojës dhe as në shkallët e stadiumit”, duke iu referuar pikërisht problemeve që u shkaktuan prej tymueseve.

Gjithsesi, trajneri i Shqipërisë iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë gazetarit, me të cilin dukej se kishte edhe njohje personale.

“Sigurisht që jam i mërzitur për atë që bënë tifozët, pasi nuk e prisja. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë në këto pesë vite që kam si trajner i Shqipërisë. Por ky incident nuk mund të përfaqësojë aspak vlerat e vërteta të tifozërisë”, deklaroi De Biasi, shkruan Panorama Sport.

“Ju vetë personalisht keni qenë me mua në Marseille dhe ende i kujtoj fjalët që më thoshit, se sa i mrekulluar ishit nga atmosfera që po krijonte tifozëria e Shqipërisë. Kishit një vlerësim shumë të madh në të dyja këndvështrimet, si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit. Pra, besoj se nuk mund të hidhet gjithçka poshtë vetëm me këtë që ndodhi në Palermo”, iu përgjigj De Biasi, duke marrë edhe aprovimin me kokë nga ana e gazetarit.