Hysaj: Në Itali na duhet të marrim pikë

Sport March 21, 2017 - 14:24

Mbrojtësi i djathtë i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka ardhur në grumbullimin para ndeshjes ndaj Italisë me optimizmin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv.

“Duhen pikë, sepse po nuk morëm as këtu pikë do bëhet shumë e vështirë. Shpresoj që të vijnë të gjithë shqiptarët të na mbështesin, siç bëjnë gjithmonë. Besoj se do të futemi në fushë me mendimin që mund ta mundim edhe ne Italinë. Duhet të jemi të qetë në fushë, të luajmë lojën tonë dhe të shohim në fund çfarë do të ndodhë”, tha Hysaj në një intervistë për “Top Channel”.

Në këtë ndeshje me shumë mundësi Hysaj do të jetë në fushë përballë shokut të tij të skuadrës te Napoli, Lorenzo Insigne.

“Me Insignen kemi bërë shaka kur ishim në Napoli. Ne do të luajmë kundër njëri-tjetrit sepse atij i takon të luajë në krahun tim. Megjithatë do të shohim kur të vijë ndeshja nëse do të jemi në fushë. Do të jetë një përballje e bukur si për mua ashtu edhe për atë. I thashë që nuk do flasim më bashkë deri pas ndeshjes sepse jemi kundërshtarë. Këto janë ngjarje të bukura të futbollit”, vazhdoi 23-vjeçari shkdoran.

Në fund ai komentoi dhe vendimin e italinëve për ta zhvilluar ndeshjen në Palermo, si masë ndaj dyndjes së tifozëve shqiptarë në stadium.

“Besoj që Palermo do të jetë pak larg për tifozët shqiptarë, por mund ka disa mënyra për të shkuar në Siçili për ata që duan ta shohin ndeshjen. Dhe besoj do të jenë të shumtë ata që do të jenë të pranishëm në stadium”, përfundoi Hysaj.