Fat, ndihmona!

Sport March 21, 2017 - 10:20

Albert Bunjaki e ka publikuar listën me emrat e 23 futbollistëve, me të cilët do të tentojë të shënojë fitore kundër Islandës të premten, në ndeshjen e radhës eliminatore të Botërorit 2018, të cilën Kosova do ta zhvillojë në Shkodër. Seleksionuesi kosovar në dispozicion ka lojtarë në formë e konkurrentë të fortë e po ashtu sulmues cilësorë si asnjëherë më parë. Andaj, ai shpreson që skuadrës së tij kësaj here t’i ndihmojë fati i shumëpritur

Një barazim dhe tri humbje. Dymbëdhjetë gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar.

Ky është bilanci i deritanishëm i Përfaqësueses së Kosovës në kampanjën kualifikuese për botërorin “Rusia 2018”, i cili në fakt nuk është real me atë që e ka treguar në fushë skuadra e Albert Bunjakit.

“Në katër ndeshjet e deritanishme kundërshtarët tanë bashkërisht i kanë përfunduar 47 aksione, ne ndaj tyre i kemi pasur 39”, thotë seleksionuesi kosovar, i cili në këtë mënyrë mundohet të bindë se epilogu aktual i ekipit përfaqësues nuk është real, pa dashur t’i arsyetojë humbjet, të cilat mund të konsiderohen të arsyeshme kur dihet se Kosova për herë të parë po paraqitet në një kampanjë kualifikuese.

Bunjaki ka ritheksuar se fati asnjëherë deri më tani nuk ka qenë pranë ekipit të tij.

Por, shpreson që fati të jetë lojtari i 24-të, përkatësisht i 12-ti në fushë, në ndeshjen e radhës kundër Islandës, e cila do të zhvillohet të premten në Shkodër.

Këto komente përzgjedhësi kosovar i bëri të hënën në Prishtinë, kur e publikoi listën me emrat e 23 futbollistëve të ftuar për ndeshjen ndaj surprizës së shkëlqyeshme të kampionatit evropian “Franca 2016”.

“A do të luajmë për fitore? Nuk e di nëse ndonjë trajner shkon për humbje! Unë them, po. Ka ardhur koha dhe Kosova është në ngritje graduale prej lojës në lojë, kemi performacë të mira dhe me pak fat kemi mundur të kemi rezultat më të mirë edhe nga ndeshja me Ukrainën, por edhe me Turqinë, pastaj edhe me Kroacinë kemi mundur të kemi rezultat më të mirë. Dashtë Zoti që këtë fat ta kemi me Islandën. Por, me rëndësi është se kemi ngritje dhe kemi të ardhme të mirë”, ka deklaruar Bunjaki, i cili ka ftuar tre portierë, tetë mbrojtës, nëntë mesfushorë dhe tre sulmues.

Ardhje të reja e bombastike konsiderohen Besart Berisha dhe Atdhe Nuhiu në sulm, ku konkurrent kanë “punëtorin” e dalluar, Vedat Muriqin.

Po ashtu në dispozicion ka Donis Avdijajn, që ka rritur konkurrencën në repartin ofanziv, shkruan Zëri.

“Lojtarët e dinë se konkurrenca është në rritje. Ardhja e Besart Berishës është diçka shumë e mirë sepse i ka shënuar 100 gola në një ligë, pavarësisht çfarë lige është ajo e që për mua është e mirë. Kjo e tregon vazhdimësinë, vetëbesimin dhe profesionalizmin e tij. Ai ka karakter fituesi dhe kjo duhet të reflektojë në grupin tonë”, tha Bunjaki.

“Në dispozicion e kemi edhe sulmuesin tjetër Atdhe Nuhiu, i gjatë 1.96 cm. Ai luan në Championship të Anglisë, në një ligë shumë fizike, e cila i ka rreth 150 lojë. Në ekipin e tij janë shtatë sulmues. Kurse Donis Avdijaj ka moshë interesante dhe luan në një klub të mirë. Karakteri dhe individualizimi i tij e rrit konkurrencën”, u shpreh trajneri kosovar.

Sipas tij, konkurrencë e shëndoshë është krijuar edhe në mesfushë, ndërsa kësaj here Kosova do t’i ketë punët më mirë në mbrojtje, ku ka çaluar deri më tani.

“Portieri Ujkani është në formë, kurse disa nga mbrojtësit mund të luajnë edhe si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës anësorë dhe kjo është diçka e mirë për ne. Ndërsa, në mesfushë ka lojtarë shumë interesantë”, tha Bunjaki, i cili kësaj radhe nuk i ka ftuar Albert Bunjakun, Avni Pepën, Besar Halimin dhe Alban Mehën.

Rreth mungesave Bunjaki ka theksuar se konkurrenca tashmë është rritur dhe në shprehje ka ardhur profesionalizimi. Ai tregoi se skuadra e tij të martën do ta zhvillojë një seancë stërvitore në Drenas, pastaj do të udhëtojë drejt Shkodrës, ku deri para ndeshjes me Islandën do t’i zhvillojë dy stërvitje të tjera.

Lista e Kosovës:

Portierë: Samir Ujkani (Pisa), Adis Nurkovic (Travnik), Bledar Hajdini (Trepça ’89).

Mbrojtës: Fanol Perdedaj (Munchen 1860), Alban Pnishi (Grasshopper), Amir Rrahmani (Lokomotiva), Leart Paqarada (Sandhausen), Mergim Vojvoda (Mouscron), Benjamin Kololli (Laussane), Fidan Aliti (Slaveb Belupo), Ardian Ismajli (Hajduk Split).

Mesfushorë: Hekuran Kryeziu (Luzern), Herolind Shala (Kasimpasa), Valon Berisha (Salzburg), Milot Rashica (Vittese), Bernard Berisha (Terek Grozny), Bersant Celina (Twente), Arbër Zeneli (Heerenveen), Elbasan Rashani (Rosenborg), Donis Avdijaj (Schalke 04).

Sulmues: Besart Berisha (Melbourne Victory), Atdhe Nuhiu (Sheffield Wendesday), Vedat Muriqi (Gençlerbirligi). /Zëri/