Me probleme, por s’dorëzohemi!

Sport March 21, 2017 - 10:17

Pa Mërgim Mavrajn e Shkëlzen Gashin, por me disa risi në përbërje, Kombëtarja e Shqipërisë shpreson të dalë me rezultat pozitiv nga ndeshja me Italinë, e cila zhvillohet në Palermo

Kombëtarja shqiptare gjendet para një sfide shumë të vështirë në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Kuqezinjtë të premten në “Renzo Barbera” të Palermos luajnë kundër Italisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Risia më e madhe është grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Kukësit, Albi Alla.

Një tjetër lojtar i kategorisë superiore që rikthehet në Kombëtare është mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi, ndërsa bie në sy mungesa e Shkëlzen Gashit që vazhdon të mos jetë në preferencat e De Biasit.

De Biasi: Të mos i përsërisim gabimet që i bëmë ndaj Spanjës

Përzgjedhësi Gianni de Biasi e pranon se do të jetë tepër vështirë të arrihet një rezultat pozitiv, por nuk gjithsesi që nuk dorëzohet.

“Fatkeqësisht në këtë ndeshje vijmë në një moment kur Italia është në maksimumin e saj falë një kampionati, ku po dalin në pah lojtarë cilësorë. Në anën tjetër, ne jemi në një pozitë plotësisht të kundërt. Kemi lojtarë që kanë vështirësi të luajnë në skuadrat e tyre, kemi të dëmtuar, të pezulluar dhe kjo pa dyshim do të na krijojë vështirësi. Sidoqoftë, unë jam tip që nuk dorëzohem”, është shprehur De Biasi.

Sa i përket synimit për rezultat të mirë, ai është përgjigjur shkurt:

“Si mund ta mposhtim Italinë? Po përdor frazat e zakonshme. Duke u munduar të mos bëjmë gabime dhe të shfrytëzojmë ato pak raste që do të mund të krijojmë gjatë ndeshjes”. Megjithëse gjasat për kualifikim janë zbehur, tekniku italian nuk ka hequr dorë nga ky synim.

“Objektivi ynë është vendi i dytë pasi i pari është shumë i vështirë për t’u arritur. Ndaj Italisë duhet t’i evitojmë gabimet që bëmë me Spanjën. Do të shikoj gjendjen e lojtarëve dhe më pas do ta vëmë në zbatim planin”, ka theksuar numri një i bankinës kuqezi.

Mungesa më e madhe në përbërjen e kuqezinjve do të jetë Mërgim Mavraj.

“Pavarësisht dëshirës së tij për të luajtur, ai nuk është ftuar, sepse mjekët kanë konstatuar se nuk është i gatshëm”, ka sqaruar De Biasi.

Basha e Xhaka shpresojnë në rezultat pozitiv

Mesfushori i Bazelit, Taulant Xhaka, shpreson që Shqipëria ta sulmojë sa më tepër portën rivale.

“Duhet të luajmë siç kemi luajtur në disa ndeshje të mëhershme. Nuk duhet ta lejojmë Italinë të sulmojë, por ta sulmojmë ne të parët. Sa më përket mua, jam i gatshëm të luaj kudo që ka nevojë skuadra”, është shprehur Xhaka.

Mesfushori tjetër, Migjen Basha është shprehur paksa më i matur.

“Humbja nga Izraeli i ka komplikuar në masë të madhe gjërat për ne, prandaj kualifikimi do të jetë vështirë të arrihet. Sa i përket ndeshjes me Italinë, duhet të bëjmë më të mirën ashtu siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara dhe të përpiqemi të marrim rezultat sa më të mirë”, ka theksuar Basha.

Ventura, “frikë” nga tifozët shqiptarë

Pa marrë parasysh se ndeshja zhvillohet në Palermo, përzgjedhësi i Italisë, Giampiero Ventura, është i bindur se stadiumi do të jetë “i pushtuar’ nga shqiptarët.

“Unë i kam parë ndeshjet e Shqipërisë në Genova me Italinë dhe në Marseille me Francën, në të cilat shumica e tifozëve në stadium ishin shqiptarë. Sigurisht që kështu do të jetë edhe në Palermo, por unë nuk i zgjedh stadiumet dhe kurrë nuk jam marrë me këtë çështje”, është shprehur Ventura, i cili për këtë ndeshje nuk i ka ftuar dy futbollistë të njohur.

“Do të na mungojnë Chiellini dhe Marchisio. Ata kanë nevojë për kohë që ta gjejnë formën e dikurshme dhe janë të vetëdijshëm për këtë”, ka bërë të ditur Ventura. /Zëri/

Të ftuarit:

Portierë: Alban Hoxha (Partizani), Orges Shehi (Skënderbeu), Thomas Strakosha (Lazio).

Mbrojtës: Ansi Agolli (Karabak), Elseid Hysaj (Napoli), Naser Aliji (Kaizerslautern), Frederik Veseli (Empoli), Arlind Ajeti (Torino), Albi Alla (Kukësi).

Mesfushorë: Burim Kukeli (Zyrih), Migjen Basha (Bari), Taulant Xhaka (Bazel), Amir Abrashi (Frajburg), Odise Roshi (Terek Grozni), Ledian Memushaj (Peskara), Andi Lila (PAS Janina), Jahmir Hyka (San Hoze Wrthkuejks), Eros Grezda (Lokomotiv Zagreb), Liridon Latifi (Skënderbeu).

Sulmues: Bekim Balaj (Terek Grozni), Armando Sadiku (Lugano), Azdren Llullaku (Astana), Sokol Cikalleshi (Akhisar Beledijespor).