Dyshja e trofeve

Sport February 28, 2017 - 10:21

Jose Mourinho është në rrugë të mirë që ta kthejë Unitedin në rrugën e sukseseve. Në këtë drejtim “aleatin” më të fortë tash për tash e ka sulmuesin fantastik, Zlatan Ibrahimoviç

Manchester United e ka fituar Kupën e Ligës, ndërsa trajneri i kësaj skuadre, Jose Mourinho, vetëm sa e ka përforcuar epitetin e tij si “Special One”.

Portugezi, i cili te “Djajtë e Kuq” kaloi me misionin për t’i kthyer në rrugën e sukseseve, diçka që u mungonte që nga largimi i legjendarit Alex Ferguson.

Në këtë drejtim “aleatin” më të fortë tash për tash e ka sulmuesin fantastik Zlatan Ibrahimoviç, shkruan sot gazeta Zëri.  

Në “ndjekje” të legjendës Ferguson

Me fitoren kundër Southamptonit (3:2) dhe triumfin në Kupën e Ligës, United e ka marrë epitetin e skuadrës më të trofeshme të të gjitha kohëve në futbollin anglez, duke e zhvendosur Liverpoolin nga froni.

Me triumfin e së dielës (i katërti në këtë garë, pasi tri herësh e ka fituar me Chelsean) portugezi është barazuar me ikonën Alex Ferguson.

“Ishte emocionuese. Nuk është e lehtë ta fitosh një trofe kaq herë, ashtu siç nuk është e lehtë të përballesh me një presion kaq të madh si ky në të cilin gjendesha unë“, ka theksuar numri një i bankinës së Unitedit. Ai është treguar shumë korrekt në vlerësimin e rivalit.

“Ishte një ndeshje në pjesën më të madhe të së cilës Southamptoni ishte skuadër më e mirë se ne. Ata i merituan vazhdimet, por në skenë doli Ibra dhe na e siguroi trofeun”, është shprehur Mourinho.

Portugezi nuk ka saktësuar se deri kur do të vazhdojë ta kryejë detyrën e trajnerit, por, megjithatë, e ka dhënë përgjigjen e tij edhe për këtë pyetje.

“Do të pensionohem atëherë kur e shoh se trofetë nuk më bëjnë përshtypje, pra kur nuk më ofrojnë emocione”, ka sqaruar Mourinho.

Image

Ibra e Pogba, të veçantë për Mourinhon

Për suksesin e fundit, ai nuk i ka kursyer fjalët më të mira për yllin e skuadrës së tij, suedezin Zlatan Ibrahimoviç, i cili përkundër moshës 35-vjeçare, po dëshmohet si lojtar që e bën diferencën.

“Është e vërtetë që Ibrahimoviç na e siguroi këtë trofe. Ai ishte i jashtëzakonshëm. Nëse duhet ta veçoj edhe ndonjë lojtar tjetër, atëherë them se është Pogba”, ka theksuar Mourinho, duke mos i kursyer lëvdatat për dy futbollistët që së bashku me të iu bashkuan Unitedit në vitin e kaluar.

Ndërsa, vetë Ibrahimoviç është shprehur modest për kontributin e tij.

“Mourinho për këtë më ka marrë në skuadrën e tij. Pas ftesës nga ai, mendoj se e kam bërë hapin e duhur”, është shprehur suedezi

Frika nga largimi i suedezit

Ibrahimoviç ende nuk ka vendosur nëse edhe në edicionin e ardhshëm do të qëndrojë në “Old Trafford”, ndërkohë që Mou thekson se asnjëherë nuk ka insistuar të ndikojë për të ardhmen e futbollistëve të tij.

“Kurrë nuk i kam lutur lojtarët të nënshkruajnë kontratë apo të luajnë për mua. Ibrahimoviç pati vendosur të transferohej te Barcelona, unë as që i pata thënë të qëndrojë”, është shprehur tekniku portugez.

Megjithatë, ai ka “zbuluar” një ide sesi mund të bindet Ibra që të qëndrojë.

“Të gjithë duam që ai të qëndrojë më gjatë këtu. Unë nuk mund të ndikoj, por këtë mund ta bëjnë tifozët tanë. Ata duhet të shkojnë para shtëpisë së tij, të qëndrojnë tërë natën dhe ta lusin të mos largohet”, ka thënë Mou.

Sidoqoftë, ende nuk ka shumë fjalë rreth qëndrimit të suedezit, megjithëse ekziston opsioni për të luajtur edhe një vit në “Old Trafford”.

Aktualisht është kandidat për t’u shpallur futbollisti i vitit. “Ibramania" mbretëron në mesin e tifozëve të Unitedit dhe askush nuk beson se do të largohet gjatë verës, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e ndonjë oferte marramendëse nga SHBA-ja apo nga Kina. /Zëri/