Basketbolli në udhëkryq

Sport February 27, 2017 - 11:43

Njëri nga basketbollistët më të mirë në Kosovën e pasluftës, Artan Mehmeti, nuk është aspak i kënaqur me gjendjen aktuale të këtij sporti, i cili në një periudhë tre-katër vjeçare e mori primatin në sportin kosovar në përgjithësi, shkruan sot gazeta Zëri.

Ish-plejmejkeri i Trepçës e ka përcjellë me vëmendje “Final-Four”-in e Kupës së Kosovës, që u zhvillua në Mitrovicë, duke e shprehur mendimin e tij për ndeshjet që i pa me sytë e tij.

“Turneu final ka qenë interesant për shikuesit. Në gjysmëfinale fituan favoritët. Finalja ishte e fortë për shkak të rivalitetit të madh, por nuk mund të them se ishte edhe cilësore”, ka thënë fillimisht Mehmeti për “Zërin”.

Ai është shprehur kritik edhe ndaj strategjisë së skuadrave. “Basketbolli ynë brenda një stinori i ka dy fytyra. Në fillim përforcohen me lojtarë të pakonfirmuar në aspektin e kualitetit dhe bëhen shumë ndërrime, e kjo natyrisht reflektohet me lojëra jo cilësore. Në pjesën e fundit të kampionatit angazhohen basketbollistë më të mirë dhe besoj që do të shohim ndeshje interesante”, ka shtuar ish-snajperisti mitrovicas.

Vendorët, nën hijen e të huajve

Fatkeqësisht sot nuk kemi një basketbollist vendor që është lider i skuadrës, ashtu siç ishte Artani edhe atëherë kur në Kosovë patën filluar të vijnë lojtarë të huaj.

“E them me keqardhje, por vendorët nuk i kemi në nivelin e dëshiruar. Tre-katër prej tyre, të tjerët janë larg cilësisë së duhur dhe kjo është zhgënjyese për basketbollin kosovar”, ka theksuar Mehmeti, i cili edhe më tutje është i lidhur me basketbollin, pasi punon me gjenerata të reja.

“Interesimi i fëmijëve për basketboll është i madh dhe kjo dëshmohet me numrin e madh të tyre nëpër shkollat e basketbollit. Mirëpo, janë fare pak që dalin në skenë kur u vjen koha për të kaluar në kategoritë më të larta. Ky është problem serioz për të gjithë ne që merremi me basketboll”, ka shprehur shqetësimin e tij Mehmeti, i cili apelon për punë më të përkushtuar në këtë drejtim.

“Mendoj se duhet të kemi më shumë punë profesionale dhe përkrahje më të madhe për fëmijët nëpër grupmosha të reja, sepse vetëm kështu ata do të jenë të gatshëm për t’u dëshmuar edhe në ekipet e tyre të para”, ka thënë në fund Mehmeti. /Zëri/