Misioni i vështirë i Cityt

Sport February 21, 2017 - 15:07

Pep Guardiola do ta nis misionin e vështirë me Manchester Cityn, në kërkim të çerekfinales së Ligës së Kampionëve. “Citizens” do të përballen me sulmin e rrezikshëm të Monacos, që udhëhiqet nga Radamel Falcao e Kylian Mbappe

Liga e Kampionëve vazhdon me dy ndeshje që zhvillohen sonte, ndërsa dy të tjera në program janë nesër, shkruan sot gazeta Zëri.

Bayer Leverkusen do të ketë punë të vështirë me Atletico Madridin derisa Manchester City takohet me Monacon, për të cilën trajneri i skuadrës angleze ka theksuar se është shumë e rrezikshme, sidomos në fazën e sulmit.

Punë më të lehtë në këtë rreth pritet të ketë Sevilla me Leicesterin, por sigurisht që as kampioni anglez nuk do të paraqitet me flamur të bardhë.

Leverkusen “kërcënon” Atleticon

“Farmaceutët” nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe kjo dëshmohet me pozitën e tyre në tabelën e Bundesligës, megjithëse së fundi fituan 3:1 në udhëtim tek Augsburgu.

Skuadra e trajnerit Roger Schmidt gjendet në pozitën e tetë me 30 pikë, 20 më pak se Bayern Munichu që e kryeson renditjen.

Megjithatë, portieri Bernd Leno beson në suksesin e skuadrës së tij.

“Përse të mos fitojmë kundër tyre? Nëse ne ia dalim të tregojmë lojën që e kemi paramenduar, atëherë çdo gjë është e mundur. Ne të gjithë jemi të motivuar për një gjë të tillë. Në skuadër mbretëron atmosferë e mirë, të gjithë e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe me të drejtë jemi optimistë për një rezultat të pozitiv”, ka thënë Leno.

Në anën tjetër, Atletico Madrid është në pozitën e katërt të kampionatit spanjoll, pozitë e cila mundëson pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Diego Simeone tashmë është dëshmuar si trajner që mund të shkojë shumë larg me skuadrën e tij, prandaj llogaritet favorit edhe në përballjen me Leverkusenin.

Manchester City llogaritet favorite ndaj Monacos, megjithëse skuadra franceze është duke kaluar nëpër një formë të mirë dhe aktualisht e kryeson renditjen në kampionat.

Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, është shprehur shumë i matur para këtij ballafaqimi.

“Është e rëndësishme që ne të shënojmë gola dhe në anën tjetër të mos pranojmë, në mënyrë që ta kemi më lehtë në ndeshjen e kthimit. Ata shënojnë shumë gola dhe janë të fortë edhe në aspektin fizik”, ka thënë Guardiola.

Ai e ka të qartë se me Radamel Falcaon e Kylian Mbappe në formë të shkëlqyeshme, Monaco paraqet rrezik serioz dhe kjo dëshmohet me faktin se në 26 ndeshje ka shënuar 76 gola. 

Përballja e legjendave

Nga dy ndeshjet që zhvillohen nesër, më vështirë është të parashikohet fituesi ndërmjet Portos e Juventusit, skuadra këto që kanë ecuri të mirë në kampionatet përkatëse.

Portugezët në ndeshje hyjnë pas fitores 4:0 ndaj Tondelas dhe aktualisht gjenden në pozitën e dytë, me vetëm një pikë më pas se lideri në tabelë, Benfica.

Në anën tjetër, Juventusi pa asnjë problem po e dominon kampionatin italian. Së fundi e mposhti Palermon me 4:1 dhe vazhdon të ruajë epërsinë prej 7 pikëve ndaj Romës që është përcjellësi më i afërt.

Në ndeshjen e nesërme, kampioni italian mund të paraqitet pa disa futbollistë të rëndësishëm. Njëra nga mungesat më të mëdha pritet të jetë mesfushori Miralem Pjanic, i cili ka probleme me nyjën e këmbës.

Po ashtu në dyshim janë edhe dyshja Giorgio Chiellini dhe Andrea Barzagli. Mirëpo, kjo ndeshje është interesante edhe për faktin se në fushë do të jenë dy nga portierët më të mirë në historinë e futbollit, Iker Casillas e Gianluiggi Buffon.

Në ndeshjen tjetër, Sevilla e pret kampionin aktual të Anglisë, Leicester. Skuadra spanjolle llogaritet favorite dhe synimi i saj është të arrijë rezultat sa më të mirë para ndeshjes së kthimit.

Ndërkaq, Leicester e cila bëri befasi duke e fituar titullin e Premierligës, por sivjet është në situatë dukshëm më të vështirë dhe aktualisht gjendet në pozitën e 17-të me vetëm një pikë më tepër se skuadrat të cilat gjenden në zonën që shpie në rang më të ulët të garave. /Zëri/

Liga e Kampionëve

E martë:

20:45 Bayer L. – Atl Madrid

20:45 Man City – Monaco

E mërkurë:

20:45 Porto – Juventus

20:45 Sevilla – Leicester