Trofetë e Prishtinës, medaljet e Pejës

Sport February 21, 2017 - 12:16

Sigal Prishtina po e dominon shumë basketbollin kosovar pas luftës. Bardhekaltrit e shtuan edhe një trofe në vitrinën e tyre, duke e fituar finalen e Kupës ndaj rivales së përbetuar të tyre - Pejës. Prishtinasit dhe pejanët numërojnë plot takime në finale, por pjesën dërrmuese të tyre i ka fituar Prishtina, e cila “Plisave” u premton vazhdimësi. Kurse Verdhezinjtë sigurojnë “Shqiponjat” se e ardhmja do t’ua ndërrojë pozicionin me prishtinasit

Kur përmendet basketbolli kosovar gjithnjë na shkon mendja tek Sigal Prishtina, e cila, falë trofeve të shumtë të fituar është bërë sinonim i suksesit. Bardhekaltrit e fituan të dielën trofeun e radhës, të 12-in të Kupës së Kosovës, duke e mposhtur tashmë kundërshtarin e zakonshëm të finaleve, Pejën, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përpos në pak vitet e para të pasluftës, kur Trepça ishte superfuqi e basketbollit, në vitet pasuese thuajse gjithnjë janë përballur në finale prishtinasit me pejanët dhe kryeqytetasit kanë qenë dukshëm më të mirë, duke u bërë “mace e zezë” për Verdhezinjtë. Statistika zyrtare është vështirë të gjenden edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Por, besohet se prej vitit 2004 Sigal Prishtina dhe Peja janë takuar në 18 finale për tituj të kampionit dhe për Kupë. Dhe 14 finale i ka fituar ekipi prishtinas, ndërsa vetëm 4 rivalja e përbetuar e kryeqytetasve nga “Karagaçi”.

Dhe, të gjithë ata trofe i pari që i ka prekur dhe i ka ngritur lart është kapiteni legjendar i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, i cili ka arsye të fortë të ndihet krenar me karrierën e tij.

Image

“Është një ndjenjë e veçantë kur fitojmë ndaj Pejës. E them me sinqeritet se ne nuk kemi asnjë inat në mes vete pasi jemi miq të mirë me lojtarët e Pejës, nuk kemi asnjë problem me ta. Ndihemi të lumtur që po e dominojmë basketbollin kosovar dhe që po i gëzojmë qytetarët tanë dhe që po ua sjellim trofetë një pas një”, u shpreh Azemi për “Zërin”.

“Mund të them se jemi bërë një lloj ‘mace e zezë’ për Pejën, ndaj së cilës po fitojmë shpesh në finale. Sidoqoftë, duhet uruar Pejën për lojën që e shfaq në çdo ndeshje ndaj nesh”, nënvizoi ai.

“Edo” e pranon se Prishtina ka dështuar në Ligën Ballkanike sivjet dhe tash kjo skuadër po mundohet ta shpëtojë sezonin në rrafshin vendor. “Duam ta fitojmë edhe titullin e kampionit, pasi e fituam Kupën dhe më pas të shohim se çka duam sezonin tjetër. Synojmë ta vazhdojmë dominimin në basketbollin kosovar edhe në vitet e ardhshme”, vazhdoi ai.

Gashi: S’jemi inferiorë, po na mungon fati

Kryetari i Pejës, Art Gashi, ndihet i dëshpëruar me mënyrën se si po i humb ndeshjet finale skuadra pejane. Ai i përmend disa faktorë që po ndikojnë që Verdhezinjtë të mos u gëzohen trofeve, edhe pse po janë shumë afër.

“Po na mungon fati definitivisht. Vitin e kaluar në finale të Kupës ishim në avantazh dhe e kishim topin në posedim në sekondat e fundit e humbëm topin dhe ata shënuan treshe dhe fituan. Këtë radhë ishim në epërsi në shumicën e kohës, por kjo nuk mjaftoi. Duhet ta them se gisht në humbjen tonë kishin edhe referat, të cilët na dëmtuan në fillim të çerekut të katërt, kur edhe mund ta mbyllnim lojën”, u shpreh Gashi për gazetën.

Image

“Është e vështirë të luash kundër Prishtinës dhe dy referëve prishtinas, që deri dje ishin tifozë të flaktë të këtij klubi dhe kundër komisarit Faton Kurshumlija, i cili ka urrejtje të thellë ndaj nesh”, vijoi ai.

“Ne nuk ndihemi assesi inferiorë ndaj askujt. Që nga viti 1993 jemi gjithmonë në ‘Play-Off’ dhe gjithmonë në fazën finale të kupës. Kemi arritur të jemi ndër ekipet më të mira në basketbollin e pasluftës, kundërshtari kryesor i Prishtinës. Në duelet mes tyre vendosin detajet e vogla”, thotë Gashi, i cili e sheh të vështirë fitimin e titullit të kampionit, duke e pasur parasysh se pejanët thuajse e kanë humbur pozitën e parë në tabelë dhe prishtinasit në fazën finale do ta kenë përparësinë e terrenit vendës. /Zëri/