Besa-Besë për Kupë

Sport February 21, 2017 - 11:51

Përpos Feronikelit, i cili u eliminua nga gara për Kupën e Kosovës, skuadrat tjera favorite, si Trepça ’89, Llapi dhe Prishtina, arritën të kualifikohen në çerekfinale të këtij trofeu, i cili mundëson kualifikimin në gara evropiane, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Një gjë të tillë ka arritur ta bëjë edhe Besa, e cila qysh më moti e ka humbur hapin në luftë për titull, me ç’rast i është përkushtuar maksimalisht Kupës. Dhe ekipi pejan tani e sheh vetën në çerekfinale falë fitores së madhe prej 3:1 që e shënoi ndaj Dritës së riorganizuar e të përforcuar.

“Ne e nisëm edicionin pranveror me ndeshjen e Kupës më të dobësuar sesa që ishim përforcuar në afatin kalimtar të janarit”, thotë për "Zërin" trajneri Gani Sejdiu, i cili konfirmoi klasin e një trajneri profesionist, pasi arriti t’i lërë anash problemet e brendshme që e përcollën Besën qe disa muaj, duke e çuar përpara ekipin kuqebardhë në garën e Kupës.

“Nuk ka qenë e lehtë. Por, unë dua t’i falënderojë futbollistët e mi, të cilët para ndeshjes më premtuan se do ta japin gjithë energjinë për ta fituar ndeshjen dhe premtimin e mbajtën. U jam shumë mirënjohës, për çka jam i stërkënaqur. Prekazi dhe Dabiqaj ishin të lënduar, me Pejë luajtën, pra kemi të bëjmë me sakrificë të jashtëzakonshme”, u shpreh Sejdiu. Trajneri mitrovicas thotë se Besa është zotuar për ta dhënë gjithë energjinë në kërkim të Kupës.

“Assesi nuk do të shpërqendrohemi nga kampionati, sepse kemi 11 pikë epërsi prej pozitës së barazhit dhe kjo nuk na jep kushedi çfarë komoditeti. Gjithsesi, Besa është e fortë dhe ekipet kandidate për titull nuk do ta kenë të lehtë përballë ndesh. Këtë do ta dëshmojmë ndeshje pas ndeshje”, thekson ai.

Image

“Sa i përket Kupës, normalisht që është prioriteti ynë kryesor. Me lojën që e treguam ndaj Dritës konfirmuam se ne mund të jemi kandidatë seriozë për këtë trofe, të cilin mund ta fitojmë dhe ne do të bëjmë çmos që ta arrijmë synimin. Por, fondi i vogël i futbollistëve mund të na penalizojë. Nëse nuk na përcjellin lëndimet dhe kartonët, atëherë ne mund t’ia dalim”, u shpreh trajneri i suksesshëm kosovar.

Por, Sejdiu thotë se në garë për Kupë kanë mbetur skuadra të forta thuajse të të njëjtit nivel, kështu që kushdo që ta fitojë këtë trofe nuk do të jetë e rastësishme. Mirëpo, insiston se Besa e tij mund t’ia dalë. Thotë se janë lojtarët e tij ata që më së miri e paralajmëruan potencialin e tyre. Pejanët garën kampionale të sezonit pranveror do ta nisin në fundjavë kundër Llapit.

Besa do të startojë nga pozita e gjashtë e Superligës, ku ka 25 pikë, 14 më pak sesa kryesuesja, Trepça ’89, e cila ndiqet nga Llapi, Prishtina e Feronikeli. Ndërsa, në garën e Kupës – përpos Llapit, Prishtinës, Trepçës ’89 dhe Besës – kanë mbetur edhe Ferizaj, Drenica dhe Liria, të cilave do t’u bashkohet edhe Flamurtari ose Trepça.