Futbollisti pensionohet në moshën 25-vjeçare

Sport January 19, 2017 - 15:57

Gueida Fofana e ka marrë lajmin më të keq të jetës së tij. Mesfushori francez i ka thënë lamtumirë futbollit në moshë të re, pasi ai është vetëm 25-vjeçar, raporton zeri.info.

“I kam provuar të gjitha mënyrat, por gjendja në të cilën është nyja e këmbës sime nuk më lejon të luaj më futboll”, ka thënë fillimisht francezi mjaft i dëshpëruar.

“Fatkeqësisht, vendimi im është definitiv”, ka shtuar ai. Fofana ka folur edhe për të ardhmen, duke paralajmëruar se do të mbetet i lidhur me futbollin, por në pozita tjera.

“Pasi kam vendosur të mos luaj më futboll, e kam takuar presidentin e klubit, Aulas. Më ka thënë se dëshiron të më mbajë në klub dhe e falënderoj për këtë mundësi”, ka shpjeguar Fofana për uebfaqen zyrtare të klubit Olympique Lyon.

Lëndimet e njëpasnjëshme e kanë lodhur lojtarin, i cili ka probleme me nyjat e këmbës qe një kohë. /Zëri/