A do të ketë dron edhe në ndeshjen Maqedoni – Shqipëri?!

Sport January 19, 2017 - 15:10

Futbolli në Maqedoni shpeshherë ka nxjerrë në sipërfaqe edhe tensionet ndëretnike, kur tifozët maqedonas i kanë fyer në baza etnike shqiptarët, të cilët u janë kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë, madje duke bërë thirrje për bashkim të trojeve shqiptare, kurse stadiumin kryesor në Shkup “Filipi II” e quajnë “Adem Jashari”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Faktet e tilla kanë ngjallur shqetësime për mundësinë e përsëritjes së trazirave të Beogradit në ndeshjen Serbi – Shqipëri, shumë kohë para se t’i vijë radha ndeshjes eliminatore për Botërorin që Maqedonia do ta zhvillojë si vendase kundër Shqipërisë, ndeshja kjo që do t’i vë përballë dy palët e tifozëve, maqedonasit dhe shqiptarët.

Këta të fundit do të bashkohen nga shqiptarët etnikë të Maqedonisë dhe ata të Shqipërisë e Kosovës.

Tash e një kohë flitet se Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) po planifikon që këtë ndeshje të mos e organizojë në Shkup, por diku shumë më larg, për ta shmangur sa më shumë që është e mundur udhëtimin e tifozëve shqiptarë dhe tensioneve të mundshme.

Rreth kësaj çështjeje heziton të flasë nënkryetari shqiptar i FFM-së, Muhamet Sejdini.

Preferencë personale e tij është stadiumi gjigant në Shkup, por kujton se përcaktimi i stadiumit nuk varet prej tij.

“Çka do të ketë mbetet të shihet. Por them se ndeshja do të zhvillohet aty ku ka kushte, kështu që mos u bëni merak sepse loja do të zhvillohet sikurse çdo ndeshje tjetër dhe do të fitojë ekipi më i mirë”, thotë Sejdini në një intervistë ekskluzive për "Zërin".

“Unë do të doja që ndeshja Maqedoni – Shqipëri të zhvillohet në Shkup. Por, në Këshillin Drejtues jemi 15 anëtarë, prej tyre jemi 4 shqiptarë”, shpjegon nënkryetari i federatës maqedonase, i cili më 18 shkurt pritet ta fitojë edhe një mandat në këtë post, pasi shqiptarët i janë mirënjohës për punën e bërë në interes të tyre.

Image