Kosova 'ndihmon' Ronaldon

Sport January 11, 2017 - 15:56

Cristiano Ronaldo është shpallur mbret i futbollit botëror nga institucioni më i lartë - FIFA. Drejt këtij çmimi ylli i Portugalisë dhe i Real Madridit mori përkrahje të fortë edhe nga Kosova, e cila kishte të drejtë vote për herë të parë në histori. Ronaldo mori maksimumin e pikëve nga përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaki, kapiteni Samir Ujkani dhe gazetari i “Zërit”, i përzgjedhur nga FIFA, Valon Konushevci. Përfaqësuesit kosovarë e ndihmuan drejt triumfit edhe trajnerin Cladio Ranieri

Cristiano Ronaldo është shpallur “Futbollisti më i mirë në botë për vitin 2016”. Këtë epitet yllit portugez ia ka dhënë institucioni më i lartë i futbollit, FIFA, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, janë përzgjedhësit e përfaqësueseve të shteteve anëtare të FIFA-s dhe kapitenët e tyre ata që kishin të drejtë vote në shpalljen e laureatëve të vitit e po ashtu nga një gazetar profesionist prej secilit shtet të botës. 

Parasysh është marrë edhe votimi online i tifozëve nga mbarë bota. Ylli i Real Madridit triumfoi në konkurrencë me Lionel Messin dhe Antoine Griezmann, të cilët përfunduan pas tij.

Ronaldo gjatë vitit 2016 e ka fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridin, me të cilin po ashtu e ka fituar edhe Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.

Mbi të gjitha ai është shpallur kampion i Evropës me Kombëtaren e Portugalisë në “Euro 2016”. Dhe, gjithë këto të arritura bënë që “CR7”-shi të mbledhë më së shumti vota për t’u shpallur mbret i futbollit botëror.

Drejt këtij suksesi Ronaldon e ka ndihmuar edhe Kosova, e cila pati të drejtë vote për herë të parë pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaki, me pesë pikë e ka votuar portugezin, kurse tri pikë ia ka dhënë Messit, ndërsa një pikë ia ka dedikuar Griezmannit.

Ndërkohë, kapiteni kosovar Samir Ujkani pesë pikë ia ka dhënë Ronaldos, tri Neymarit, ndërsa me një pikë e ka vlerësuar yllin argjentinas të Barcelonës.

Nga mediet në Kosovë FIFA kishte përzgjedhur për votim gazetën “Zëri”, përkatësisht Valon Konushevcin. Redaktori i Sportit në “Zëri” me pesë pikë e ka votuar Ronaldon, tri pikë ia ka dhënë Messit, kurse me një pikë e ka vlerësuar francezin Griezmann.

Edhe Ranieri u ndihmua nga Kosova

Ndërkohë, përzgjedhësi kosovar Albert Bunjaki, kapiteni Samir Ujkani dhe gazetari i “Zërit”, Valon Konushevci, kishin të drejtë vote edhe në përzgjedhjen e trajnerit më të mirë të vitit 2016, në të cilën konkurrencë, mjaft të fortë, fitoi Cladio Ranieri i Leicester Cityt.

Strategu italian është vlerësuar me pesë pikë nga Bunjaki, i cili tri sosh ia ka dhënë Fernando Satntosit të Portugalisë, kurse me një pikë e ka vlerësuar Zinedine Zidane, raporton Zëri.

Sikurse Bunjaki njëjtë ka votuar edhe Konushevci. Por, më ndryshe ka votuar Ujkani. Kapiteni kosovar me pesë pikë e ka vlerësuar trajnerin e Real Madridit, me tri pikë atë të Leicester Cityt dhe një pikë ia ka dhënë selektorit të kampiones evropiane, Portugalisë.

Befason Shqipëria me De Biasin

Vota në FIFA kanë shkuar edhe nga Shqipëria, në emrin e së cilës kanë votuar përzgjedhësi Gianni de Biasi, kapiteni Ansi Agolli dhe gazetarja Dhurata Bejzade.

De Biasi ka votuar për bashkëkombësit e tij. Maksimumin e pikëve ia ka dhënë Gianluigi Buffonit, tri pikë ia ka dhënë Ronaldos dhe një sosh ia ka dedikuar Messit.

Kurse, Agolli e ka preferuar Ronaldon para Messit e Griezmannit. Ndërkohë, për Dhuratën Messi dhe Manuel Neuer janë më të mirë se Ronaldo. 

Edhe në konkurrencën e trajnerëve, De Biasi më së shumti pikë i ka dhënë Claudio Ranierit, kurse Zinedine Zidane ishte i preferuari i Agollit, ndërsa Dhurata maksimumin e pikëve ia ka dhënë Jurgen Kloppit. /Zëri/