Po kënaqet edhe në lloç

Sport October 25, 2016 - 11:43

Pas plot 13 vjetësh Armend Dallku e ka shijuar golin e parë në futbollin e Kosovës. Legjenda e FC Prishtinës, Vorskla Poltavas dhe e Kombëtares Shqiptare thotë se në fund të karrierës po kënaqet në futbollin e Kosovës dhe në skuadrën prej së cilës doli në arenën ndërkombëtare. Ai është i etur për të fituar trofe me FC Prishtinë, por edhe më i etur është për të parë përparime në futbollin tonë. Dallku thotë se u zhgënjye kur u kthye në Kosovë, pasi lëre që nuk gjeti përmirësim, por vetëm përkeqësim të gjendjes së futbollit, sidomos në infrastrukturë

E shtuna ishte një ditë emocionuese, por edhe fantastike për Armend Dallkun. Mbrojtësi i famshëm kosovar e shënoi golin e parë në Superligën e Kosovës pas plot 13 vjetësh.

Ish-reprezentuesi i Shqipërisë tash e disa muaj po luan në Kosovë për Prishtinën, prej së cilës kishte dalë në arenën ndërkombëtare para 12 vjetësh, shkruan sot gazeta Zëri.

Dhe, tani po kënaqet në klubin e zemrës tek i cili është kthyer pas 11 vjetëve fantastike të kaluara në Vorskla Poltava në Ukrainë dhe në Kombëtaren Shqiptare.

33-vjeçari është bërë lider i skuadrës më të madhe kosovare, të cilën po e udhëheq në luftën për titull të kampionit.

Prezenca e tij në FC Prishtinë i ka dhënë hijeshi Superligës kosovare, të cilën edhe më të bukur e bëri të shtunën kur realizoi gol pas plot 13 vjetësh.

Prishtina ishte duke humbur nga Trepça me rezultat 0:1, por goli fantastik i Dallkut nga gjuajtja e lirë barazoi rezultatin dhe e vendosi Prishtinën në pikënisjen drejt fitores prej 2:1.

“Nuk e kam ditur që pas 13 vjetësh kam shënuar gol. Nuk e kam ditur as që golin e fundit para 13 vjetësh e kisha shënuar në të njëjtin stadium. Nuk jam lojtar që shënoj gola, por edhe kur shënoj nuk është në natyrën time të gëzohem ashtu, të hidhem në festë. Por, goli i së shtunës vërtet më emocionoi, më gëzoi sepse ekipi im po humbiste, kurse arrita ta çoj ekipin në pushim me rezultat të barabartë dhe aty mblodhëm forcat për ta shënuar fitoren”, thotë Dallku për “Zërin”.

Dhe, nuk heziton të tregojë se në fund të karrierës po shijon kohë fantastike në futbollin kosovar dhe në Prishtinë.

“Kur u ktheva nga Ukraina mendova se po e mbylli karrierën. Pastaj bisedova me shokun tim të ngushtë, Debatik Currin, me Kryesinë e FC Prishtinës, e cila kërkoi kontributin tonë t’i ndihmojmë me krejt përvojën tonë. E pamë të arsyeshme t’i ndihmojmë klubit, ta ndihmojmë që ta kthejë namin e dikurshëm kur të tjerët i frikësoheshin edhe fanellës e lëre më ekipit”, tha ai.

“Tani jemi në rrugë të mirë, por kemi edhe shumë punë për të bërë. FC Prishtina ka ndryshuar shumë dhe normalisht se nevojitet pak kohë, por po punojmë shumë për Prishtinë e cila sigurt ka të ardhme të ndritur dhe meritore. Jam i bindur se do t’ia dalim”, u shpreh Dallku.

Dallku i zhgënjyer: 17 vjet, asnjë përparim!

Armend Dallku është i lumtur që i është kthyer futbollit të Kosovës pas 12 vjetësh, por është i zhgënjyer që nuk e gjeti asnjë përparim në vendlindje.

“Jam shumë-shumë i zhgënjyer. Po e shihni në çfarë fushash po luajmë futboll. I pashë disa të rinj duke luajtur në një lloç tejet të madh dhe u preva kur i pashë”, tha Dallku.

“17 vjet pasluftës nuk e pashë asnjë përparim. 17 vjet nuk ishte ndërtuar asnjë fushë për stërvitje. Përkundrazi, gjendja ka qenë më e mirë para 12-13 vjetësh kur pata luajtur. Fajtorë janë të gjithë, prej Qeverisë e poshtë, me radhë. Nuk ka arsyetim dhe nuk mund të shfajësohet askush. Faji është i të gjithëve dhe kjo duhet t’i shqetësojë të gjithë”, tha Dallku për Zërin.

Ai bën thirrje për t’u çuar nga gjumi. “Duhet të zgjohemi nga gjumi e të punojmë sa më shumë sepse kemi ngecur shumë prapa dhe na pret shumë punë. Nuk shkon më kështu”, u shpreh ai. /Zëri/