Hajvalia në rrezik, Federata heshtë!

Sport July 28, 2016 - 15:46

Shkruan, Andin Lokaj

Pa asnjë dyshim mund të konkludohet që Federata e futbollit të Kosovës është Federata më e paaftë dhe më e dobët në Planetë.

Janë shumë klube të shuara gjatë viteve të udhëheqjes nga ana e Fadil Vokrrit dhe së fundi është Hajvalia ajo që rrezikon falimentimin.

Krejt kjo shkaku i mosdijes së Institucionit i cili më herët ka lejuar shuarjen e shumë klubeve, ndër to të ish kampionëve Besianës dhe Hysit.

Federata e drejtuar nga Fadil Vokrri ka shtyer klubet që të investojnë shumë para gjatë këtyre viteve pa ju dhënë asnjë mundësi rikthimi të shpenzimeve që janë bërë, e ato shpennzime dihet që kanë kaluar milionët.

Kjo Federatë e paaftë nuk ka insistuar asnjëherë të vetme që të obligojë klubet që ndër tjera të kenë konton e vet bankare ku do të kontrolloheshin hyrje-daljet e mjeteve materiale. Andaj erdhi deri te situata që ato faktikisht të bankrotojnë.

Rasti i fundit i Hajvalisë edhe njëherë i tregon opinionit se Federata e lodhur kosovare e futbollit nuk ka forcë të parandalojë shuarjen e një klubi dhe nuk e ka karakterin që të ndihmojë dhe ti tregojë një klubi se ku gjenden binarët. Përkundrazi Federata hesht kundër klubit që me anë të ish trajnerit Ismet Munishi ka qenë zëri kritik i keqpërdorimeve në Federatë si dhe parregullsive në ndeshjet kampionale, gjë që është realitet dhe nuk mund të mohohet.

Shkaku i atyre kritikave, Vokrri nuk lodhet për gjendjen e Hajvalisë ngase nga natyra është hakmarrës i heshtur. Por Federata e tij e rraskapitur po kalon një fazë të tmerrshme "stresi" ngase e ka humbur rrugën në oborr përballë kritereve që e presin e të cilat nuk është në gjendje t'i plotësojë.

Krejt kjo shkaku i asaj që nuk ka forcën e duhur që së paku t'ju thotë klubeve këto janë kriteret brenda kampionatit dhe duhet të plotësohen.

Nuk mund t'ju thotë ngase ka bërë aq shumë lëshime viteve të kaluara sa që më nuk di as si të veprojë.

Së shpejti do të kemi krizë të madhe brenda klubeve dhe rreziku për shuarjen e tyre do të shtohet. Dhe kjo do të ndodh ngase nuk do të kenë forcën financiare të cilën ua shkaktoi klika aktuale e Federatës vetëm e vetëm për të mbajtur me zor dhe me dallavere futbollin të gjallë.

Një Federatë e suksesshme e futbollit nuk guxon të lejojë shuarjen e asnjë klubi profesionist të rangut më të lartë kampional, e lëre më nënkampionin shtetëror.

Por kur ke paraysh faktin që fitorja e Vokrrit në zgjedhjen për Kryetar federate ishte 56 me 0 atëherë nuk mbetet gjë tjetër përveç të qeshim me zë deri në kup të qiellit. /Sportali.net