25 vite më parë u lansua albumi i fundit i 'Nirvana'-s

Showbiz September 22, 2018 - 16:30
Lexo detajet

Para 25 vitesh është lansuar albumi i tretë dhe i fundit i bendit legjendar “Nirvana”, me titull “In Utero”.

Në shkurt të vitit 1993, anëtarët e grupit hynë në Pachyderm Studio në Minnesota për të nisur punën rreth albumit të tyre të tretë.

Nga kjo studio më pas doli albumi që u shit në mbi pesë milionë kopje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rreth 15 milionë kopje të tjera u shitën në vendet e tjera të botës.

“In Utero” u lansua më 21 shtator 1993, saktësisht para 25 vitesh, ndërsa përmbante 12 këngë.

Këngët nga ky album, “Heart-Shaped Box” dhe “Rape Me” për një kohë të gjatë ishin në krye të top-listave botërore.

Kurt Cobain, Krist Novoselic dhe Dave Grohl u bënë të famshëm botërisht me albumin e dytë “Nirvana”, “Nevermind”, që u shit në 11 milionë kopje në SHBA dhe mbi 30 milionë në vendet tjera të botës.

Asokohe, albumi i tre rokerëve nga Seattle e rrëzoi nga top-lista amerikane, albumin e Michael Jacksonit, “Dangerous”.