A do të jetë Rita Ora pjesë e koncertit të Dua Lipës në Prishtinë?! – Flet Dukagjin Lipa

Showbiz June 26, 2018 - 11:10
Flet Dukagjin Lipa

Më 10, 11 dhe 12 gusht të këtij viti në Parkun e Gërmisë për herë të parë do të organizohet “Sunny Hill Festival’.

Në këtë Festival do të performojë edhe këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa. 

Nata e dytë e Festivalit do të vazhdojë si Hip-Hop mbrëmje, ku pritet të performojë Action Bronson, ndërsa në natën e tretë, e cila është konceptuar si mbrëmje elektronike, pritet të performjnë DJ të famshëm botëror. Këtë vit, në Sunny Hill Festival nuk do të performojë Rita Ora.

Kjo, pasi këtë vit nuk ka pasur ftesë për të nga organizatorët.

Në një përgjigje për Periskopin, drejtori i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa tha se për Ritën do të ketë ftesë më 2019.

Ka kohë që nëpër media kishin qarkulluar titujsh artikujsh për një rivalitet të theksuar mes dy këngëtareve nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa e Rita Ora.

Ishin diskutuar gjerë e gjatë paraqitjet e tyre nëpër ngjarje të rëndësishme botërore. Asnjëherë, ato nuk u panë të shoqërohen me njëra tjetrën.

Madje, kishte pasur raste kur vetë këngëtaret kishin ngacmuar njëra tjetrën, duke komentuar tërthorazi paraqitjet e tyre, ose duke i injoruar totalisht, raporton Periskopi.

Ishte raportuar se Dua Lipa e kishte ngacmuar Rita Orën, duke e krahasuar veshjen e saj në koncertin madhështor në Prishtinë, për 10-vjetor të Pavarësisë, me veshjen e personazhit të filmit “Borat”.

Ndërsa, pikërisht sa ishte në Kosovë, Rita Ora kishte thanë që i vjen mirë që në botë po shkëlqejnë yjet shqiptare se Dua Lipa e Bebe Rexha. Me këtë të fundit tha se janë takuar disa herë, madje janë edhe shoqe të mira. Por, diçka të tillë nuk tha për Duan.

Dua Lipën e Rita Orën nuk do t’i bëjë bashkë as Festivali “Sunny Hill”, i cili për herë të parë do të organizohet në Kosovë.

Ai do të mbahet në Parkun e Gërmisë më 10, 11 dhe 12 gusht të këtij viti.

Në një përgjigje për Periskopin, babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa, i cili njëherësh është edhe drejtor i Festivalit “Sunny Hill”, ka treguar pse këtë vit nuk ka pasur festë për Rita Orën.

“Pasiqe Sunny Hill Festival eshte vazhdimesi e koncerteve te Duës ne Kosove dhe ne Shqiperi prej ku edhe lind Sunny Hill Foundation, normalisht qe viti i pare i takon Duës si iniciatore dhe krijuese e Sunny Hill Foundation dhe me siguri edhe aktivitstes me te madhe te bamiresise ne Kosove”, ka thënë Lipa, të cilit nuk i ka pëlqyer fare pyetja se pse nuk ka pasur ftesë për Orën në Sunny Hill.

Madje, Lipa i ka kërkuar gazetares së Periskopit që ta ndërrojë qasjen prej akuzueseje.

Tutje, Lipa tek pas një jave, ka bërë të ditur se ftesë për Rita Orën nga Festivali “Sunny Hill” do të ketë vitin tjetër.

“Duke pase rrespektin me te madh per Ritën si artiste si dhe amabasadore e nderit e Kosoves, Rita e ka vendin e artisteve kryesore dhe me kenaqesine ma te madhe do ta ftojme qe te jete Akti kryesore i POP mbramjes per vitin 2019”, ka shkruar ai në përgjigjen e tij, të cilën Periskopi e citon pa asnjë ndërhyrje.

Tutje, Lipa ka thënë se Sunny Hill Festival ka për qëllim që të jetë më shumë se organizim njëvjeçar.

“Sikur ne te gjitha festivalet boterore edhe Sunny Hill Festival ka per qellim qe te kete jete shume te gjate dhe jo vetem organizim njevjecare. Ideja e zhvillimit te festivalit eshte qe cdo vjet te kete artistet kryesore me te miret qe festivali ka mundesi me i terhjeke apo me i pase mysafire”, ka thënë Lipa, teksa ka dhënë edhe detaje të tjera për organizimin e sivjetmë të këtij Festivali, që për herë të parë mbahet në Kosovë.

“Nata e dyte eshte konceptuar si Hip-Hop mbramje, edhe me kenaqesine ma te madhe e kemi lajmeruar paraqitjen e Action Bronson, paraqitje qe nuk ka ndodhe asnjehere ne Regjion. dhe Nata e trete eshte konceptuar te jete mbramja electronike qe si akt kryesore do te kete nje nder DJ me te famshem ne bote, emrin e te cilit do ta shpalosim me daten 17 Korrik”, shkruan Lipa në përgjigjen e tij dërguar Periskopit.

Në një konferencë informuese për Festivalin që javë më parë ishte mbajtur në Prishtinë, babai i Duas, Dukagjin Lipa kishte thënë se shpreson që ky festival do t’ia ngrisë imazhin Kosovës.

“Është kënaqësi me qenë këtu dhe të jap një lajm të tillë që ka qenë rrugë e gjatë derisa kemi arrit me i sjellë punët në këtë nivel për të pasur festival të tillë në Kosovë. Shpresoj që me festivalin dhe mundin që po e bëjmë do të kemi mundësi që të ngrisim imazhin e Kosovës dhe pasi jemi në kryeqytet, besoj që do kemi mysafirë nga Evropa që do të vizitojnë Prishtinën dhe shpresoj që ata do të rrinë më shumë sesa festivali për të vizituar Kosovën”, kishte thënë drejtori i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa.