Liridon Hoti, zëri i ëmbël i diasporës

Showbiz January 21, 2018 - 18:23

Diaspora ka ditur t’i sjellë Kosovës artistë dhe këngëtarë të dalluar. Njëri prej tyre është edhe Liridon Hoti, i cili shquhet me zërin e tij të ëmbël.

Liridoni e ka kaluar fëmijërinë në Kosovë, respektivisht në Gjakovë, ndërsa në dekadën e fundit e ka marrë rrugën drejt Zvicrës, ku e ka gjetur veten me mjaft sukses.

Ai e ka treguar rrugëtimin e tij që nga fëmijëria, kur kishte filluar të merrej me muzikë, e deri tash.

“Karriera ime në muzikë ka filluar qysh nga mosha e vogël parashkollore, duke kënduar këngë të zhanrit folklorik pasi që babai, gjyshi e babagjyshi dhe mixhallarët, pra me një fjalë jemi familje e muzikës folklorike. Qysh si fëmijë kam ushtruar dhe kam kënduar në përcjellje të babait me çifteli. Më pas kam marrë pjesë nëpër koncerte që i organizonte shkolla deri në moshën 11 vjeçare”, tregon fillimisht Liridoni për “Zërin”.

Image

“Siç dihet, meraku i këngës nga ajo folklorike në atë popullore më lindi në Shqipëri, kur ne për shkak të luftës në vitin 1999 për të shpëtuar nga agresori serb familjarisht e patëm fatin të kalojmë kufirin dhe të strehoheshim në Shqipëri, posaçërisht në Librazhd. Aty e pata fatin që rastësisht ta takoja kompozitorin e njohur, z. Naim Gjoshi, i cili më mori në parapërgatitje të një koncerti, më vlerësoi dhe mi zgjodhi këngët që duhej t’i këndoja. Mora pjesë në shumë koncerte sa ishim në Shqipëri, edhe pse i vogël në moshë, më rrethonin mediat, merrja lëvdata nga qytetarët dhe isha shumë i përkëdhelur nga të gjithë. Pra, nga këtu më lindi ideja dhe dëshira më e madhe që të bëhem këngëtar i zhanrit popullor”, vazhdoi ai.

Sa u përket këngëtarëve që i ka inspirim dhe që i merr si shembull, duke u munduar ta ndjekë rrugën e tyre, Liridoni thotë se janë shumë, por përmend emrat e mëdhenj që e kishin inspiruar në fillim të karrierës si “Remzije Osmani dhe Mahmut Ferati, e posaçërisht i madhi Ismet Peja”, shton ai.

Image

Plot bashkëpunime

Liridoni nuk këndon vetëm. Ai kohë pas kohe bën edhe bashkëpunime, të cilat i konsideron të rëndësishme për karrierën e tij. Gjithashtu tregon se pjesën dërrmuese të teksteve të këngëve të tij i ka shkruar babai i tij, Bislim Hoti.

“Bashkëpunime kam me shumë këngëtarë, posaçërisht me ata që jetojnë në Zvicër. Takohemi dhe konsultohemi për ndonjë projekt, shpeshherë na bie puna të takohemi edhe nëpër mbrëmje të ndryshme që organizohen nëpër diskoteka. Kam edhe klipe të bëra në bashkëpunim me këngëtarë të tjerë. Deri tash jam i kënaqur pasi tematika e këngës po i përshtatet kohës dhe kërkesave. Shumicën e këngëve të mia i bën babai im, Bislim Hoti, i njohur nga opinioni gjakovar dhe më gjerë, kryesisht me ato tekste që po i kërkon koha, këngë dashurie dhe gjithçka që ka të bëjë lidhur me këtë çështje”, tregon Liridon Hoti, i cili me profesion është jurist i diplomuar.

Image

I kënaqur me karrierën e deritashme

Liridoni ndihet i kënaqur me rrjedhën e karrierës së deritashme, por ai nuk e ka ndërmend të ndalet pasi synon të arrijë edhe më shumë në të ardhmen.

“Po, jam i kënaqur në atë masë sa kam dashur unë vetë, por nuk kam qenë edhe shumë aktiv për shkak të punës dhe përkujdesit të familjes. Por, në të ardhmen do t’i kushtoj kujdes edhe më të madh, pasi që këngët e mia janë të pëlqyera te ata që i dëgjojnë”, shprehet këngëtari nga Gjakova.

Albumi ‘live’ me këngë dasmash, në planet e Liridonit

Liridoni i ka të qarta planet e së ardhmes dhe ato i zbulon për “Zërin”.

“Synimet për më tutje do të jenë që ta mbaj afër vetes këngën, ta publikj albumin ‘live’ me këngë dasmash, sepse deri tash kam përfunduar mbi 10 këngë dhe prej tyre 6 janë me videoklip”, zbulon Hoti.

Image

I përkushtuar ndaj familjes

Familja është mjaft e rëndësishme për Liridonin.

Ai tregon se ka një djalë 7 vjeçar dhe se së shpejti me bashkëshorten e tij e presin edhe fëmijën e dytë.

“Kohën e lirë e kaloj me familje. E marr çunin dhe e dërgoj në kurse apo në lojën e futbollit. Por, shpeshherë edhe luaj me sint, pasi që jam edhe instrumentist i mirë me sint”, shton ai.

Liridoni jeton dhe punon në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa tregon se gjatë vikendeve merr pjesë nëpër diskoteka kur e thërrasin, por me një kusht.

Image

“Vikendeve marr pjesë nëpër diskoteka kur më thërrasin, por gjithmonë duke e konfirmuar pjesëmarrjen po qe se në ato mbrëmje ka këngëtarë të dëshmuar, sepse sot muzika vetëm shikohet dhe nuk dëgjohet. E them këtë sepse shumë pak dinë ta vlerësojnë këngën sipas teksteve dhe mysafirët kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë çdo herë e më tepër”, përfundoi Liridon Hoti. /Zëri/