Publikohen shifrat marramendëse të fitimeve nga serialet turke

Showbiz January 10, 2018 - 10:55

Serialet turke po shënojnë të ardhura marramendëse nga shitja në shumicën e shteteve të botës.

Sipas një artikulli të publikuar se fundmi nga Agjencia Anadolu (AA), serialet që shiten dhe shihen në më shumë se 140 shtete të botës sjellin një përfitim vjetor prej më shumë se 350 milionë dollarësh.

Sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, serialet turke kanë shënuar sukses të madh veçanërisht në 10 vitet e fundit, duke u renditur në vendin e dytë në botë në sektor pas SHBA-ve.

Si pasojë e shikueshmërisë së madhe nga SHBA-të në Rusi, nga shtetet e Ballkanit në Lindje të Mesme, nga Lindja e Largët në Amerikën Latine, serialet turke përftojnë mbi 350 milionë dollarë të ardhura në vit. Në mesin e serialeve më të ndjekura deri më tani renditen “Gymysh”, “Ezel”, “Dashuri pa Fund”, “Fatmagyl”, etj.

Presidenti i Shoqatës së Transmetimeve Radiotelevizive, (RATEM), Yusuf Gursoy tha për AA se brenda vitit 2023 synohet që fitimet nga shitja e serialeve të arrijnë në rreth 1 miliardë dollarë në vit./tvklan.al