Thellohet skandali i Hollywoodit

Showbiz October 19, 2017 - 09:01

Listës së gjatë të aktoreve që kanë akuzuar producentin Harvey Weinstein për sjellje jo të hijshme i është bashkuar edhe aktorja Lena Headey, e njohur për rolin e saj në serinë “Game of Thrones”.

Edhe aktorja e famshme e serisë “Game of Thrones” Lena Headey ka akuzuar producentin Harvey Weinstein për ngacmim seksual, transmeton "Zeri.info".

Në një varg postimesh në “Twitter” aktorja e mirënjohur përshkroi se si ajo dhe Weinstein kishin ndarë një moment të tensionuar mes tyre, kur producenti e ftoi në dhomën e tij për t’i treguar një skenar.

“Ashensori po ngjitej, i gjithë trupi im ishte në alarm dhe i thashë Harveyt, nuk jam e interesuar në asgjë tjetër përveç punës, prandaj mos mendo se jam këtu për një tjetër arsye. Asgjë nuk do të ndodhë”, përcjell "Zeri.info".

Aktorja vijon duke treguar se si Weinstein u nervozua pasi ajo i rezistoi përpjekjeve të tij.

“U ndjeva tërësisht e pafuqishme”, shtoi më tej Headey.

Me këtë denoncim aktorja britanike i bashkohet një liste prej më shumë se 40 grash të cilat kanë akuzuar producentin e Hollywoodit për sjellje jo të hijshme.

65-vjeçari Weinstein është akuzuar për përdhunim, ngacmime dhe sulme seksuale, por ai ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për marrëdhënie jokonsensuale. /ZËRI/