Këngëtarja e njohur: Operacionet plastike më kanë deformuar

Showbiz September 14, 2017 - 23:14

 

Janë të panumërt personazhet e njohur shqiptarë që janë përfolur për ndërhyrjet plastike. Ndonëse një pjesë e mirë e tyre nuk e pranojnë, rezultati në të shumtën e rasteve është i dukshëm dhe i vështirë për t’u fshehur.

Por ka akoma nga ata që “kanë ndryshuar duke u rritur”. Diku buzë më mishtore, hundë më e vogël, një tjetër gjoks më të madh e më të bukur e dikush tjetër mund të shkojë edhe më shumë se kaq duke ndërhyrë edhe në pjesë të tjera të trupit.

Ata që i kanë pranuar ndërhyrjet publikisht numërohen me gishta, por një këngëtare që sa herë është pyetur, jo vetëm nuk e ka fshehur, por edhe ka thënë me zë të lartë se është penduar është Jolanda Dhamo.

Prej vitesh, Jolanda Dhamo jeton me bashkëshortin dhe djalin në Greqi, por sa herë vjen për të vizituar shtëpinë, bën edhe një përshëndetje për publikun shqiptar. Këtë herë, ishte e ftuar për të dytën herë në “Rudina” për të promovuar klipin e saj të ri “Falmë”, një baladë e ndjerë dashurie.

Mes të tjerave, Rudina e pyeti edhe për sekretin e formës fizike, pa lënë mënjanë edhe ndërhyrjet plastike, për të cilat, Jolanda nuk flet për herë të parë. Ajo e ka pranuar disa herë tashmë që është penduar për ndërhyrjen që ka bërë në buzë para 6-vjetësh: “Unë e kam thënë disa herë, po nuk jam unë e para. Pse merrem unë gjithmonë në bisedë?”, – tha Jolanda duke shtuar se ndoshta ajo mund të ishte e treta apo e katërta këngëtare disa vite më parë që bëri një ndërhyrje në buzë dhe menjëherë më pas, shumë artiste të tjera i kërkuan kontaktin që edhe ato të bënin të njëjtën gjë. Por sot, ajo e quan një veprim të nxituar: “Ka qenë gabim, më mori edhe mua rryma. Para 6-vjetësh, unë mund të kem qenë e treta, e katërta, por e para që e kam thënë hapur. Kur vjen puna për ta deklaruar, del Jolanda e para, sepse askush nuk e pranon. Gjithsesi, unë nuk e bëj për të fituar pikë, por e vërteta është e vërtetë”, – tha këngëtarja pa e fshehur.

Por pse është penduar sot?

Ajo thotë se sot nuk do të bënte sërish të njëjtën gjë. Madje, u jep edhe një mesazh të gjitha vajzave që kërkojnë me ngulm të bëjne të tilla ndërhyrje: “Të mos arrijnë deri këtu kurrë… Nga ai operacion, unë nuk u bëra më e bukur, thjeshtë më kanë deformuar….”

Pyetjes së Rudinës pse e bëri kur ishte mjaft e bukur, ajo iu përgjigj: “Kur shkon te doktoresha, ajo të thotë ‘ta bëjmë pak këtu’, ‘pak këtu’… Pastaj kur shkon në shtëpi dhe shikon veten… “

Dhe pas atij operacioni, Jolanda shton se nuk ka bërë më asgjë tjetër, sepse nuk e ka pasur të nevojshme: “Nuk kam bërë asnjë ndryshim tjetër, dukem aq sa kam edhe moshën.”

Madje edhe me fytyrën nuk merret shumë dhe nuk bën trajtime: “Ngaqë kam vendosur edhe qerpikët fals, edhe fytyrën e laj me pjesë… “ – thotë ajo me të qeshur.