Intervistë/Rozafa Koliqi:Drejtësia, si forcë e besimit në vete!

Showbiz July 25, 2017 - 14:51

E keni parasysh besoj legjendën e Rozafës së Shkodrës? “Star People”, ju propozon këtë herë një tjetër Rozafë, më të sofistikuar, por me të njëjtën besë që historia i njeh këtij emrin. Po flasim për Rozafa Koliqin, një ndër elitat më të shquara në trevat shqipfolëse, që kompromiset i bën vetëm për hir të së vërtetës. Nuk harron të sjellë për “Star People” edhe një panoramë të Kosovës, duke i njohur mangësirat dhe vlerësuar atributet që ai vend ka. Patosi me të cilën ajo mbron të drejtën e saj, është i njëjtë me patosin që ka teksa flet për Shqipërinë e Madhe. Duket se atdhedashuria i rrjedh në vena, pasi edhe babai saj karrierën ia ka dedikuar vendit të shqiponjave. Teksa mbyll angazhimet e ditës dhe gjen kohë për veten dhe për vajzën e saj, Rozafa adhuron politikën, por politikën për qytetarët si qytetare…

Image

Rozafa si një prej emrave më popullorë në Kosovë, sa e vështirë ka qenë për ju të identifikoheni?

Fatmirësisht në Kosovë ende janë shumë të pranishëm homonimet shqiptare dhe me prejardhje nga historia e popullit tonë, siç është edhe emri im Rozafa. Është mirë që unë e emri i kemi ndenjur gati njëri-tjetrit e nuk e kemi dëshpëruar njëri-tjetrin, pra mendoj që puna dhe sjellja ime reflektojnë stoicizmin e Rozafës legjendare. Sa për njoftim fillestar, jam specialistja e vetme e certifikuar e farmacisë klinike në Kosovë. Kam doktoruar në Fakultetin e Farmacisë ne Universitetin “Shën Kiril” ne Shkup. Natyrisht, merita për emër i takon prindërve (Resmije e Hajrullah Koliqi), të cilët jo vetëm që më kanë vënë emër të mirë, por kanë punuar në UP (nëna ende punon) dhe babi im profesor ka kontribuar në ngritjen dhe afirmimin tim profesional dhe shkencor. Të kuptohemi, Rozafa e legjendave shqiptare e sakrifikon veten për të ndërtuar urë, që do të thotë për të ndërtuar diçka të dobishme për qytetarët. Nëse e krahason këtë me një situatë të shekullit XXI që më ka ndodhur mua, pra, kur mu dha rasti të hesht ndaj një padrejtesie te madhe që u bë në Universitetin e Prishtinës, unë vendosa të mos bëj atë që ndoshta ishte më së miri për interesin tim personal. Në fakt, unë e vendosa rrugën e Rozafës legjendare për një të mirë publike, vendosa ta sfidoj një proces të avansimit të pamerituar në Universitetin e Prishtinës. Ndoshta e kam gabim, por kjo pritet nga dikush me emrin Rozafa në trojet shqiptare në shekullin e XXI.

Sa keni investuar për emrin tuaj?

Ndoshta nuk është modesti të them se kam investuar shumë, gjithnjë me mbështetjen e pakursyer të prindërve të mi. Jam angazhuar shumë për arsimimin dhe kualifikimin tim profesional, për krijimin dhe ngritjen e familjes time, në biznes dhe në krijimin e kushteve për një jetë normale.

Image

A është e vështirë në Kosovë të të njihen meritat?

Pa dashur të përgjithësoj, meritokracia në Kosovë është në krizë. Pothuajse është shndërruar në një emër kuptimi. Mjafton të përcjellim shtypin e shkruar dhe atë elektronik përciptazi me skandale, keqpërdorime, manipulime në çdo fushë të jetës, nga ajo administrative deri te ajo akademike. Merita në Kosovë shpesh blihet apo dhurohet nëpërmjet lidhjeve të interesit (ekonomike, nepotike, klanore, mafioze etj.), duke dhunuar ligjin, vlerat dhe profesionalizmin.

Në fakt ju keni mbaruar farmaci; vajzë e dy prindërve mësues, çfarë ju ka bërë kaq mediatike?

As prindërit e mi (nëna komercialiste, babai profesor universiteti), as unë nuk kemi ambicie mediatike. Shkas për mediatizimin tim u bë zgjedhja e një asistenti në Universitetin e Prishtinës, ku kisha konkuruar edhe unë. Ai u zgjodh përkundër faktit se unë i kisha përfunduar studimet specialistike, ndërsa ai ishte ende student në këto studime, si dhe përkundër faktit se referati i hartuar dhe nënshkruar nga të tre anëtarët e komisionit dhe vendimi i Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë ishin unanimisht në favorin tim etj. Mua jo vetëm që nuk më pranuan, por çuditërisht edhe më përjashtuan nga universiteti në momentin që unë i sfidova ata. Unë nuk mund të pajtohesha me këtë padrejtësi ndaj meje që bëri Universiteti i Prishtinës. Për këtë njoftova të gjitha institucionet relevante të Kosovës: mediat, Agjencinë Kundërkorrupsion, Ministrinë e Arsimit dhe Policinë e Krimeve Ekonomike. Kontribut të veçantë në këtë drejtim dhanë gazetaret e guximshme si:Anita Kadriu, Jeta Xhara dhe Qëndresë Mustafa, të cilat kontribuan shumë për mediatizimin e këtij skandali. Gjithashtu, për rastin në fjalë reaguan edhe perfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, veçanërisht z. Rron Gjinovci nga ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim). Kjo u bë objekt diskutimi edhe në fushatën paraelektorale në Kosovë. Për kurajon time mora përgëzime edhe nga personalitete te institucioneve ndërkombëtare në Prishtinë.

Image

Si i keni parë lajmet rreth incidentit tuaj me Rektoratin?

Të gjitha, në mënyrë absolute, ishin në favorin tim, në favorin e së vëtetës, me përjashtim të zytarëve të Rektoratit të Universitetit, të cilët mbroheshin me argumentin se “ne kemi autonomi akademike, pra nuk pranojme të perzihet askush”, madje duke argumentuar në mënyrë të çuditshme se në këtë institucion “2+2 nuk bëjnë gjithmonë 4, por edhe 5, 6 etj.” dhe se “për t’u pranuar duhet lobuar”. Këto dhe qëndrime të tjera si këto, zyrtarët më të lartë të Universitetit të Prishtinës, i kanë deklaruar publikisht në media (emisioni “Jeta në Kosovë”). Kur e sfidoi gazetarja rektorin lidhur me mua, ai madje më përgëzoi edhe për “karakterin e fortë dhe tronditjen që bëra në Kosovë”. Por në esencë, e pranuan njeriun akademikisht më inferior, e unë mora urime për karakterin tim, përgëzime e përshëndetje.

Do ta vijoni këtë çështje?

Padyshim! Po, e kam vendosur dhe e kam deklaruar publikisht, se këtë çështje do ta çoj deri në fund, pa marrë parasysh pasojat eventuale. Lënda ka mbërritur në Prokurori dhe shpresoj të “Shihemi në gjyq” (jo në atë të zonjës Eni Çobani), por në gjykatën kosovare, në të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri sa e drejta, e vërteta, merita të ngadhnjejë mbi të padrejtën, të pavëretën dhe injorancën. Vlen të theksohet se në një aspekt kam shënuar fitore të vogla që kanë pasuar pas rastit tim. Shoqëria civile dhe mediat janë mobilizuar dhe tani çdo mbledhje e senatorëve të Universitetit të Prishtinës transmetohet drejtpërdrejt në Facebook sepse më askush nuk i beson kësaj klike që në rastin tim, votoi njeriun akademikisht më inferior. Që nga rasti im, Rektorati është diskredituar publikisht sepse qytetarët e kanë parë çfarë shkelje ligjore e akademike janë bërë si dhe që nga rasti im janë paraqitur me dhjetra njerëz të tjerë që nuk janë të gatshëm te heshtin më karshi mosrespektimit të arritjeve akademike të aplikantëve të tjerë në UP.

Përgjithësisht si reagoni ndaj padrejtësive?

Padrejtësitë nuk i pranoj, as nuk i duroj. Pra padrejtësitë, jo vetëm që s'i pranoj, por edhe i luftoj, sepse askujt borxh nuk i kam.

Bëni kompromise në jetën tuaj?

 

Image

Kompromiset janë njerëzore, normale në një botë plot vështirësi, probleme dhe kundërthënie, por kurrë nuk bëj kompromise me ata tipa, sjellje, zgjidhje të cilat e cënojnë dinjitetin dhe integritetin tim, as të njerëzve të tjerë.

Ndër të tjera, një dashuri e madhe për Shqipërinë. Nga e ka zanafillën kjo dashuri?

Atdhedashuria, sipas Naim Frashërit, është dashuria mbi të gjitha dashuritë. Shqipëria etnike është atdheu im. Unë jam shqiptare dhe jam shumë krenare për këtë. Jam rritur dhe edukuar në një familje tipike shqiptare (me prejardhje nga Kraja e Shkodrës) dhe me banim në Prishtinë, në një qendër shumë të rëndësishme të Shqipërisë etnike.

Sa ju ka injektuar babai juaj dashurinë për vendin tonë?

Më duhet të bëj një plotësim: Shqipëria nuk është vetëm vendi juaj, por edhe vendi im. Babai im tërë karrierën e tij ia ka kushtuar historisë së arsimit shqiptar, ka doktoruar në temën e Aleksandër Xhuvanit, ka shkruar vepra e monografi për arsimin shqiptar etj. Flamuri shqiptar gjendet në shpirtin e tij, mbi tavolinën e punës dhe në dritare, me rastin e 28 Nëntorit. Gjithçka është shqip, ndaj një ambient i tillë social pashmangshmërisht ndikoi dhe ndikon edhe tek unë. E kam për obligim që një edukim të tillë t’i jap edhe vajzës time, Toskës. Në anën tjetër, unë jam njeri që në karierën time kam pasur përkrahje të hatashme edhe prej joshqiptarëve dhe jam e falenderueshme edhe për ta. Këtu do të veçoja mentoren time ne studimet e doktoraturës nga Universiteti i Shkupit, Prof.dr. Katerina Goracinova, e cila ka qenë shtytëse e madhe e edukimit tim postuniversitar.

Kosovë-Shqipëri një shtet, apo politikisht dhe ekonomikisht funksionojnë më mirë të ndarë?

Çdo shqiptar apo shqiptare që janë vërtetë të tillë, ideal kanë një Shqipëri. Kështu na kanë mësuar rilindësit tanë, Naimi me shokë. Por në rrethana konkrete, aktuale kur nuk ka mundësi objektive për realizimin (arritjen) e këtij ideali të pavdekshëm, për bashkimin politik të shqiptarëve të katër vilajeteve shqiptare, është e nevojshme dhe e mundshme që të bëhet shumë më tepër në rrafshin e integrimit kombëtar në të gjitha fushat. Duhet pak më shumë nisma, ide, përpjekje e rezultate konkrete, sipas modelit të kryeministrit Edi Rama. Bashkimi, në çdo fushë apo rrethanë, bën fuqinë.

E keni menduar ndonjëherë ta shtrini karrierën tuaj edhe në Shqipëri?

 

Image

Natyrisht, unë e kam menduar dhe e mendoj një gjë të tillë dhe shpresoj të angazhohem konkretisht sapo të krijohen mundësitë e nevojshme.

Po largimin nga vendi, investimin në një vend tjetër?

Nga vendi nuk do të largohem. Edhe këtu ka mundësi për t’u investuar.

Jemi në stinën e verës, ku do të pushojë Rozafa këtë sezon?

Kemi vendosur familjarisht në plazhet magjike të “Shqipërisë politike”. Por të them të drejtën për momentin jam mjaft kurioze te shoh njëherë, se kush po bën qeverinë në Kosovë, ndaj këto ditë mund të më gjesh më së shumti duke lexuar shtypin ditor në Prishtinë!

Si janë përgjithësisht pushimet tuaja të qeta dhe me libra, apo të rrethuara nga njerëzit dhe festa?

Pushimet e mia janë të qeta e me libra. Se fundmi kam lexuar romanin “ Nënshtrimi” nga Michael Houellebec, i cili me la shume pershtypje. Merrem edhe me aktivitete të ndryshme shoqërore dhe argëtuese ndonëse ato, përgjithësisht, janë të shkurtëra.

Pasi mbyllni angazhimin e ditës ku e gjeni qetësinë?

Qetësine e gjejë në kopshtin tim për të cilën kujdesem vet. Natyrisht kohën më të vlefshme e kaloj me vajzën time Toskën dhe familjen time të ngushtë.

Cilat janë pasionet, dashuritë e Rozafës që ndani bashkë me familjen?

Politika, jo si profesion, por si qytetare e angazhuar. Pasioni im janë edhe udhëtimet familjare.