Historia e Majk me Majlindën, mësoi se po bëhej baba kur lidhja kishte dështuar

Showbiz July 01, 2017 - 16:27

Dy muaj pasi erdhi në jetë djali Roan, Majk vendos të postojë fotot e para me të birin nga lidhja me bombën e “Instagram”-it, Majlinda Zekën. Më në fund ai pranon statusin e babait, pas një periudhe të gjatë paqartësie në publik nëse ai ishte babai biologjik i fëmijës ose jo. Kjo situatë konfuzioni u krijua pasi ai i kishte dhënë fund lidhjes me Majlindën, ndërkohë që ajo deklaroi se ishte shtatzënë. 
 

Reperi i “Babastars”, Majk, nuk e pohoi asnjëherë, por as e mohoi faktin që ai ishte babai i fëmijës deri në momentin që fëmija erdhi në jetë. Më pas ai vendosi të bënte një postim në “Instastory”, duke lënë të kuptohej se ai u bë baba, edhe pse lidhja me Majlindën kishte dështuar.

Ish-e dashura e tij, Majlinda Zeka, solli në jetë fëmijën e tyre, duke e pagëzuar me emrin Roan. Duket se marrëdhënia e tyre ishte problematike kur fëmija erdhi në jetë, pasi ish-e dashura fillimisht e regjistroi djalin me mbiemrin e saj dhe jo të Majkut. Në “Instagram”, ajo publikoi foto të djalit pas lindjes me statusin: “Çdo sakrificë për ty ia vlen, mirë se erdhe në jetë Roan! Bota ime. Faleminderit Allah!”. Në këtë postim kuptohej që ajo po e gëzonte e vetme statusin nënë, e braktisur nga babai i djalit. Por vetëm pak ditë më parë, Majk i ka dhënë fund enigmës që i ngjason një telenovele të vërtetë, duke bërë postimin e parë si baba. Ai publikoi një foto me djalin 2 muajsh, ndërsa flinte në kraharorin e tij, foto mbi të cilën kishte vendosur thjesht mbishkrimin “Roan”.

Ishte ky pikërisht postimi që u dha fund pikëpyetjeve. Edhe pse Majk dhe Majlinda janë ndarë, flitet se ata gjatë një takimi në një nga kafet e Prishtinës kanë rënë dakord që të kujdesen bashkë për fëmijën. Historia e dashurisë dhe ndarjes e reperit Kastriot Rexha me Majlindën bëri bujë në rrjetet sociale, për faktin se ajo më parë u mbyll se filloi. Çifti më interesant i showbiz-it i dhanë fund lidhjes për çështje xhelozie, vetëm pak javë pasi Majk e bëri publike historinë e tij. Ai ndau me fansat foton e parë me Majlindën, duke deklaruar se ndihej i bekuar pranë saj. Por çiftit nuk i zgjati shumë lidhja romantike, pasi vetëm pas pak javësh histori, Majk dhe Majlinda i fshinë të gjitha fotografitë e tyre të përbashkëta, duke mos lënë asnjë gjurmë në llogaritë e tyre në “Instagram”. Ata fillimisht e kishin mbajtur të fshehtë romancën për disa muaj dhe për çudinë e të gjithëve i dhanë fund kur dolën hapur. Majk, i cili u bë i famshëm me duetet e tij me Getoar Selimin, po kap suksesin me “Kcen”.