Lufta e pamëshirshme mes reperëve shqiptarë mbërrin në Francë, bëhet emision televiziv për ta (VIDEO)

Showbiz March 21, 2017 - 18:48

Një nga emisionet më të njohur francez, L’effet Papillon,  i ka kushtuar hapësirë Shqipërisë dhe Kosovës, për të treguar atë që e quan: lufta e pamëshirshme mes reperëve shqiptarë. Gazetarët janë ndalur në rivalitetin mes dy grupeve më të mëdha të hip hop-it, Babastars dhe OTR, duke sjellë gjithashtu një historik të shkurtër të zhvillimit të muzikës në trevat shqiptare, ku sipas tyre, Kosova mbetet lider.

“Lufta e repit mes Shqipërisë dhe Kosovës vazhdon për më shumë se një dekadë. Megjithatë të dyja vendet ndajnë të njëjtën gjuhë, shqipen, dhe të njëjtën fe, Islamin. Por reperët kosovarë konsiderohen si pionerët e hip hop-it vendas. Ata kanë themeluar labelin më të famshëm: Baba Stars.

Por për shqiptarët, të vinte një supremaci e tillë nga ana tjetër e malit, ishte e padurueshme. Për Kosovën, Shqipëria është një vend më pak i zhvilluar duke qenë i mbyllur nën regjimin totalitar komunist dhe të paaftë për të konkurruar me gjenialitetin e tyre muzikor. Duke qenë se këngët e tyre dëgjohen në Ballkan, diasporë, Evropë dhe SHBA, gara bëhet edhe më e ashpër,” thuhet në materialin filmik, shoqëruar me pamje nga klipet e reperëve shqiptarë.

Sipas tyre artistët e Kosovës janë më të aftë dhe të talentuar në krijimin e muzikës së mirë, kjo edhe për faktin se Shqipëria ka qenë për shumë vite e izoluar pa patur asnjë burim frymëzimi për të krijuar.