Të penduar për atë që deklaruan

Showbiz February 27, 2017 - 08:12

Të gjithëve na ka ndodhur që nganjëherë të bëjmë ndonjë deklaratë të pamatur, të cilën kur e vlerësojmë më vonë, e shohim se vërtet ia kemi futur kot. Por kjo nuk ndodh vetëm me ne, njerëzit e thjeshtë, pasi edhe personalitetet e famshme nuk bëjnë fare përjashtim në këtë. Pa marrë parasysh popullaritetin dhe famën, ata nganjëherë arrijnë të thonë gjëra të gabuara në vende të gabuara, për të cilat ata më vonë pendohen, por që bëhet tepër vonë, pasi lajmi përhapet me shpejtësi të madhe, transmeton "Zeri.info".

Yll i filmit “Terminator” dhe ish-guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, shpesh ka ditur të japë deklarata të pamenduara mirë. “Mendoj se martesat homoseksuale janë diçka që duhet të bëhen mes meshkujve dhe femrave”, kishte deklaruar me bindje Arnold, duke bërë që të gjithë të qeshnin dhe të talleshin me të.

Por hiç më pak deklaratë koti ka dhënë edhe këngëtarja e famshme, Mariah Carey, dhe ajo kishte prekur një temë shumë të ndjeshme. “Sa herë që në televizion shoh fëmijë të uritur nëpër botë, filloj të qaj. Dua të them, do të doja të isha thatanike sikurse ata, por pa ato miza, vdekje dhe të ngjashme”, kishte thënë ajo. Krahasimi i njerëzve vitalë me fëmijët e uritur nuk është diçka e mençur nëse bëhet fjalë për një këngëtare e cila ka një karrierë mbi 20-vjeçare dhe miliona adhurues në mbarë botën.

Brooke Shields ka qëndrim të qartë rreth pirjes së duhanit, por vërtet ishte një deklaratë budallaqe. “Duhani vret. Nëse je i vrarë, e ke humbur një pjesë të rëndësishme të jetës suaj”, thotë Brooke.

Për deklarata të pamenduara mirë dallohet edhe këngëtarja Christina Aguilera. “Ku do të mbahet sivjet Festivali i Filmit në Kanë”, kishte pyetur Christina në një rast. S’kemi çka të themi në lidhje me këtë, por vetëm të shpresojmë se kanë qenë të dehur në këto momente.