Villalobos sërish thyen rekordet e tij në Prishtinë (Video)

Showbiz February 20, 2017 - 17:28

Edhepse është emër shumë i madh në industrinë botërore të muzikës elektronike, DJ i famshëm kilian Ricardo Villalobos nuk po heziton të vijë në Prishtinë.

Është hera e dytë që ai ka ardhur për ndejën e Pavarësisë së Kosovës në ZoneClub, dhe është poashtu hera e dytë që Villalobos i ka thyer rekordet e tij personale me performancat më të gjata në kryqytetin tonë.

Herën e parë, për ardhjen e tij në Prishtinë patën raportuar edhe mediat më të mëdha amerikane të muzikës elektronike, pasiqë për ta përcjellë performancën e tij patën ardhur të rinj nga gjithë rajoni, duke përfshirë edhe fansat e tij të shumtë nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia e Mali i Zi.

Ndërsa kësaj radhe, Villalobos sërish ka arritur t’i grumbullojë me mijëra njerëz në Zone, për të festuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Performanca e tij ka qenë e jashtëzakonshme, sepse seti i tij i pandërprerë ka zgjatur hiç më pak se tetë orë, ose prej orës tre të mesnatës e deri në 11 të ditës.

Kësaj radhe Zone ka dhuruar natë të paharrueshme me 3D video mapping, dhe efekte të shumta për ndejën e cila më shumë i ngjante një festivali të madh të ndonjë kryeqyteti të madh evropian, më shumë sesa Prishtinës.