Zhgënjimi i madh i Almeda Abazit pas martesës me aktorin turk

Showbiz February 18, 2017 - 15:57

E hëna e kaluar ishte dita më e lumtur në jetën e ish-Miss Albanias, Almeda Abazi, dasma e së cilës u komentua gjatë në mediat turke dhe ato shqiptare. Disa momente nga ceremonia elegante që u organizua në Los Angeles me të afërmit dhe miqtë e ngushtë të ҫiftit, kanë bërë këto ditë xhiro në media e portale.

Një ditë pas dasmës, Almeda dhe bashkëshorti i saj, Tolgahan Sayışman, postuan disa foto nga ceremonia dhe bashkë me to edhe falënderimet për të gjithë miqtë që ishin pjesë e gëzimit të tyre dhe ata që i uruan nga rrjetet sociale.

Megjithatë, pak ditë pas ditës së saj më të rëndësishme, Almedës i ka mbetur edhe një peng i madh, të cilin po ashtu e ka ndarë me të gjithë në Instagram.

Përmes një shënimi në llogarinë e saj, Almeda i ka falënderuar të gjithë shqiptarët dhe miqtë që e uruan, por u ndal sidomos tek disa njerëz, me të cilët ka pasur miqësi në Turqi, të cilët nuk janë kujtuar t’i dërgojnë një mesazh urimi. E zhgënjyer, Almeda shkruan se, me ҫ’duket, miqësia nuk është konsideruar njëlloj nga të dy palët: “Falënderoj edhe një herë të gjithë miqtë që më kanë telefonuar, pyetur dhe uruar për ditën më të lumtur të jetës sime, atë ditë në të cilën realizova ëndrrat e mia, momentin që mora vendimin më të rëndësishëm në jetë. Por, nuk e lë dot pa thënë edhe këtë: Në një kohë kaq të afërt dhe të largët, këdo që njoh në Shqipëri, më telefonoi, madje kur merrja mesazhe urimi edhe nga vende të ndryshme të botës, më habiti fakti që shumica e njerëzve, me të cilët kam ndarë shumë gjëra në Turqi, nuk më kanë telefonuar. Kjo do të thotë se koncepti im për miqësinë dhe shoqërinë nuk u ngjasoka me konceptin e tyre. Suksese në jetë të gjithëve” – shkruan Almeda në Instagram. 

Por larg këtij zhgënjimi, Almeda dhe Tolga po shijojnë të lumtur ditët e para të muajit të mjaltit. Pasi të kthehen në Stamboll, ҫifti do të organizojë edhe një ceremoni me miqtë e ngushtë dhe pas saj, do të udhëtojnë për Tiranë, ku Miss-i do të mbledhë miqtë e ngushtë në një ceremoni të tretë.