Ajri i ndotur rrit numrin e pacientëve në QKUK

Shëndetësi November 06, 2018 - 11:05
Lexo Detajet

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në Prishtinë, ditëve të fundit ka mbushur Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me pacientë , raporton “Zëri.info”.

Antigona Dervishaj specialiste e shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës tha për “Zëri.info” se kjo ndotje e ajrit po ndikon më shumë te fëmijët si dhe pacientët që kanë sëmundje tjera.

“Këto ditë bazuar në pranimet spitalore dhe raportimet  e kolegëve në klinika kemi rritje të numrit të pacientëve në mjekësit familjare, shtim të pranimeve spitalore në klinika të pediatrisë dhe kardiologjisë. Pra ka ndikim në shëndetin e qytetarëve sidomos ata që janë të ndjeshëm, grupet vulnerabile të popullatës  të rrezikuara si fëmijët e vegjël, shtatzënat, pacientët astmatik dhe ata të prirë në alergji, të sëmurët kronik me sëmundje pulmonare dhe kardiologjike dhe  të moshuarit”, tha ajo.

Sipas saj, ndotja e ajrit çon drejt sëmundjeve të ndryshme.

“Efektet afatshkurta të ajërndotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit”, theksoi ajo.

Dervishaj konsideroi se deri tani nuk janë marrë masat e nevojshme për përmirësimin e nivelit të ajrit.

“Deri më tani masa adekuate nuk besoj se janë ndërmarrë andaj ngelet nga institucionet përgjegjëse të veprojnë konkretisht në zvogëlimin e burimeve ndotëse, në mënyrë që efektet negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiorespiratore do të jetë shqetësuese”, shtoi ajo./ZERI/