Për 9 muaj, 5 pacientë kosovarë vdesin në spitalet turke

Shëndetësi October 17, 2018 - 11:59

Për çdo ditë në sheshet e qyteteve dëgjohen thirrje për ndihmë financiare për pacientë të cilët kanë nevojë për shërim. Mijëra kosovarë për çdo vit marrin rrugë drejtë shteteve evropiane për t‘ia gjetur ilaçin sëmundjeve nga të cilat ata lëngojnë. Shumica e tyre, shërimin po e kërkojnë në Turqi. Por numri i atyre të cilët nuk po arrijnë që të gjejnë shërim, po del të jetë mjaftë i madh. MSH nuk ka evidenca se sa kosovarë vdesin në spitalet e huaja.

Gjatë muajve të fundit pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e kancerit. Të gjithë këta kanë qenë të rijnë në moshë dhe janë trajtuar në spitalet jashtë Kosovës, kryesisht në Turqi duke u munduar që të gjejnë ilaç për sëmundjet nga të cilat ata lëngojnë.

Aurora Krasniqi, vetëm 18 vjeçare është pacientja e fundit kosovare e cila nuk mundi që ta përballojë sëmundjen. Ajo para disa muajve ishte diagnostikuar me një lloj të  Leukemisë për shërimin e së cilës  udhëtoi për në Turqi. Asaj me ndihmën e qytetarëve për një kohë shumë të shkurtër iu grumbulluan paratë për shërim.

Por, fatkeqësisht, Aurora, vetë as disa javëve e humbi betejën me këtë sëmundje. Ajo vdiq më 17 tetor të këtij viti në njërin nga spitalet turke. Aurora do të varroset sot.

Vdekjen në spitalet turke gjatë këtij viti e gjetën edhe disa të rijnë tjerë kosovarë. Qëndrimi, Valdeti, Endri e Delfina vetëm gjashtë vjeçe, janë vetëm disa nga të rinjtë që nuk arritën t’i mposhtin sëmundjet malinje nga të cilat këta vuanin.

Por, pavarësisht këtyre vdekjeve, zyrtarët shëndetësor në Kosovë nuk kanë asnjë të dhënë e as nuk mbajnë evidenca rreth mbarëvajtjes së shërimit të pacientëve në spitalet e huaja.

Këtyre pacientëve iu mbetet që vet të gjinden në spitalet të cilat ata i zgjedhin për shërim, anise në shumicën e rasteve ata ndihmohen edhe nga fondi për shërim që funksion në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gazeta Express, javë më parë ka kontaktuar për këtë punë me zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë. Ata nuk posedojnë asnjë të dhënë rreth numrit të pacientëve kosovarë të cilët vdesin në spitalet e huaja. Në një përgjigje për, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë patën thënë se nuk posedojnë të dhëna për këto raste.

“Sa i përket numrin të pacientëve të cilët eventualisht kanë mundur të ndërrojnë jetë gjatë trajtimit të tyre jashtë vendit, Programi për Trajtime Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, nuk posedon informata të tilla. Programi për TMJIShP mban të gjitha evidencat tjera, sa i përket aplikimeve, aprovimeve, llojeve të sëmundjeve, moshën etj”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.

E sipas MSH’së, në tre muajt e fundit, në programin për trajtime jashtë vendit, kanë aplikuar 303 e qytetarë të Kosovës.  Për këto aplikime, përmes programit për TMJIShP, janë aprovuar gjithsejtë 2.3 milionë euro.

“Të gjithë ata për të cilët është dhënë fletëzotimi janë dërguar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Me dërgimin e tyre për trajtim jashtë vendit, kompletohet e gjithë përgjegjësia dhe procesi e institucionit për qytetarët tanë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, përgjatë gjithë vitit 2017 afro 2 mijë kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare në Ministrinë e Shëndetësisë për trajtimin e sëmundjeve nga të cilat ata vuajnë. Shumica nga ta për sëmundjet e zemrës, oftalmologji, pediatri si dhe ortopedi.

Por, pavarësisht kësaj, gjendja në shëndetësinë kosovarë vazhdon të jetë e dobët. Pacientët për çdo ditë ballafaqohen me trajtim të vështirë, mungesë të ilaçeve, qoftë edhe atyre të listës esenciale. Trajtimi edhe më i vështirë bëhet kur këta pacientë detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit e u duhet që të presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë.