Sulmet e panikut dhe çrregullimi i panikut, çfarë duhet të dimë?

Shëndetësi October 05, 2018 - 10:18
Lexo tjera detaje

Një sulm paniku është një episod i papritur në të cilën njeriu përjeton një frikë të madhe, e cila shkakton reagime jonormale fizike edhe kur nuk ka arsye për t’u frikësuar. Nëse kjo përsëritet disa herë, personi mund të diagnostikohet me çrregullim paniku.

Paniku sipas klinikës Mayo karakterizohet me humbje të kontrollit, ndjenjë sikur po përjeton sulm në zemër apo edhe po vdes.

Simptomat kryesisht përfshijnë: ndjenjë të rrezikut, humbje të kontrollit, rrahje më të shpeshta të zemrës se në situata normale, dridhje të gjymtyrëve të trupit, ndjesi e të ftohtit apo të nxehtit të tepruar, marramendje, dhimbje koke, ndjesi shpimi etj.

Ndërsa edhe pse shkaku kryesor i sulmeve të panikut nuk dihet, mjekët mendojnë se stresi i tepërt, faktorët gjenetik apo ndryshimet në kiminë e trurit mund të jenë faktorë potencial, transmeton zeri.info.

Sa i përket situatave që mund të jenë shkaktarë të këtyre problemeve, studimet përmendin vdekjen e më të dashurve, aksidentet serioze, divorcet, duhanpirjen, konsumimin e kafeinës në sasi të madhe etj.

Paniku nëse nuk menaxhohet me kohë mund të ndikojë që njeriu të shmangë situata sociale, t’i krijohen probleme në punë apo shkollë, të preket nga depresioni apo ankthi, t’i rritet rreziku për mendime për vetëvrasje etj.

Aktiviteti fizik dhe medikamentet që menaxhojnë simptomat janë metodat më të mira të menaxhimit të çrregullimit të panikut/ZERI.