Kirurgu vaskular nga Kosova kryen intervenim të veçantë në Gjermani

Shëndetësi March 06, 2018 - 10:02

Mjeku shqiptar nga Kosova implanton neurostimulator për herë të parë në të gjitha spitalet “Helios” të Gjermanisë dhe të Spanjës si trajtim përfundimtar për shpëtimin e këmbëve para amputacionit.

Dr. Halil Krasniqi, drejtor i Klinikës Vaskulare dhe Endovaskulare në spitalin “Helios” të Gjermanisë, klinikë përbërëse kjo e Universitetit të Heidelbergut, implantoi për herë të parë në 142 spitalet e Gjermanisë dhe të Spanjës një stimulator në shtyllën e kurrizit të një pacienti gjerman, i cili ishte i rrezikuar nga amputacioni i të dyja këmbëve.

Image

Pacienti 84-vjeçar kishte një arteriosklerozë të theksuar dhe pas shumë operacioneve në këmbë nuk kishte më mundësi të rregullimit të qarkullimit të gjakut as me bypass dhe as me ballon apo stentë. Para se të amputoheshin të dyja këmbët, dr. Halil Krasniqi në klinikën e tij ndër më të parët implantoi neurostimulatorin dhe ia shpëtoi pacientit të dyja këmbët nga amputimi.

Doktori kosovar thotë se tani ka edhe një mundësi më tepër për t’u ndihmuar pacientëve të tij që të mos u amputohen këmbët. Ai do të vazhdojë tani rregullisht të implantojë edhe stimulatorë te pacientët te të cilët operacionet dhe intervenimet nuk janë të mundura në mënyrë që t’ua shpëtojë gjymtyrët dhe jetën e tyre.

Çka është stimulatori?

Eksperti i kirurgjisë tregon se në të shumtën e rasteve pasi të dështojnë të gjitha mundësitë e rregullimit operativ dhe intervenues të qarkullimit të gjakut nga se nuk ka mundësi revaskularizacioni, atëherë mundësia e fundit që të mos amputohen këmbët dhe duart është tani implantimi i një stimulatori.

Stimulatori është një sondë rreth 38 cm e gjatë dhe ka një diametër rreth 2 mm, e cila implantohet në shtyllën e kurrizit në shtresën epidurale në lartësi të unazave TH 12 dhe L1, aty ku gjenden nervat e shumtë. Kjo sondë lidhet me një gjenerator me bateri, i cili implantohet nën lëkurë në pjesën gluteale dhe stimulon në mënyrë permanente përmes sondës nervat e damarëve të gjakut të këmbëve apo të krahut duke i zgjeruar dhe duke krijuar degë të reja anësore, të cilat pastaj furnizojnë me gjak muskujt dhe indet. Kështu është e mundur parandalimi i amputacionit apo i humbjes së ekstremiteteve.

Kirurgu vaskular me përvojë shumëvjeçare me mbi 16.000 operacione shpjegon se ne kemi mundësi të shumta konvencionale (të hapur), intervencionale (ballonim dhe stentim) dhe endovaskulare (implantacion të stentprotezave) për t’i trajtuar të gjitha sëmundjet e damarëve të gjakut në vena, në arterie dhe në sistemin limfatik.

Arteriet dhe venat mund të jenë të sëmura nga shkaktarë të ndryshëm. Këtu numërohen pezmatime të ndryshme, trombozë arteriale dhe venoze, arteriosklerozë të arterieve, dobësim të elasticitetit vaskular, por edhe sëmundje të tjera gjenetike.

Arterioskleroza, pllakat e arterieve të cilat shkaktojnë stenoza apo ekluzione të arterieve dhe si pasojë e tyre shfaqen gangrena e nekroza dhe këto shpijnë deri te amputacioni, trajtohen me metodën klasike si bypass në vena apo protezë artificiale, qërim të brendshëm të arterieve nga pllakat me ballonim dhe implantim të stentave por dhe kombinim të të gjitha këtyre metodave trajtuese. Nëse të gjitha këto nuk ndihmojnë, atëherë është i mundur një simpatektomi, një simpatokolyze por së fundi edhe implantimi i neurostimulatorit, i cili është shpresa e fundit e pacientëve që të mos u amputohen ekstremitetet e tyre.

Ky operacion është i mundshëm edhe në Kosovë

Vdekshmëria e pacientëve pas amputimit është rreth 35% pas dy vjetësh duke u varur nga gjendja e përgjithshme e pacientit. Kurse ata të cilët gjenden edhe në dializë janë më tepër të rrezikuar.

Një trajtim implantativ i pacienteve te të cilët nuk është i mundur një mjekim i damarëve të gjakut me metoda tjera dhe të cilëve u rrezikohet ekstremiteti me amputacion, një implantim i neurostimulatorit është i mundur edhe në Kosovë. Neurostimulatorët për përmirësimin e qarkullimit të gjakut, por edhe kundër dhimbjeve kronike, si dhe produktet tjera mjekësore i prodhon firma “Abbot” në Gjermani. /ZËRI/

Image