Në laptop punoni me këmbë të hapura!

Shëndetësi February 22, 2018 - 16:22

Derisa punojnë në laptop, meshkujt do të duhej, nëse duan të kanë fëmijë, të mbajnë këmbët e larguara, ka dëshmuar studimi më i ri.

Në fakt, këmbët e bashkuara në testikuj krijojnë sasi të rrezikshme të nxehtësisë të cilat ndikojnë rrezikshëm në plleshmëri, e duket se problemi nuk zgjidhet as me vendosjen e shtresës mbrojtëse nën laptop.

Temperatura e testikujve zakonisht është dy deri në katër gradë më e ulët sesa ajo e trupit, me të cilën krijohen kushtet ideale për qelizat e spermatozoideve të cilat ndahen shpejt.

Nxehja e asaj hapësirë mund të shkaktojë stres oksidativ, të ngadalësojë lëvizjen e spermatozoideve dhe për më shumë muaj të zvogëloj aftësinë e tyre të fekondimit të qelizave vezore.

Në studimin e tij urologu Yefim Sheynkin nga Universiteti “Stony Brook” në New York dhe kolegët e tij kanë testuar 29 meshkuj në mes moshave 21 e 35 vjeçare. Secili prej tyre ka punuar me kompjuter në këmbë për një orë kohë, transmeton Telegrafi.

Në testin e parë kanë punuar me këmbë të bashkuara, e po ashtu edhe në të dytin, por me shfrytëzimin e shtresës mbrojtëse, derisa testi i tretë u ka mundësuar atyre të hapin këmbët në këndin 70 shkallë sepse përdornin mbajtës i cili vinte me laptopin.

Të gjithë meshkujt kanë kaluar nëpër të gjitha tri testet – nga një në ditë. Para eksperimentit, sensorët matnin temperaturën në testikuj dhe më vonë regjistronin ndryshimet.

Në të tri rastet, temperatura është rritur dukshëm, por më së paku, herën e tretë – për 1,4 gradë Celsius. Në rastin e dytë, temperatura është rritur për 2,2 gradë, ndërsa në të parën për 2.3. Është e rëndësishme se nivelet e rrezikshme në rastin e parë janë konstatuar pas 14 minutash, ndërsa në të tretën, vetëm pas gjysmë ore.

“Duket se puna me këmbët e bashkuara, më e zakonshmja në mesin e përdoruesve të laptopëve, në të vërtetë është ves i keq”, ka komentuar Edmund Sabanegh, urolog nga Klinika Cleveland në Ohiou.

Ekspertët rekomandojnë që laptopët duhet vendosur në tavolinë, ashtu që këmbët të lëvizin lirshëm.