Arrat zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Shëndetësi February 06, 2018 - 11:26

Nga të gjitha frutat me lëvozhgë, arrat përmbajnë nivelet më të larta të antioksiduesve. Dhe kur është fjala për ushqimet e shëndetshme për zemrën, arrat janë në mesin e tri ushqimeve më të shëndetshme.

Përveçse janë të pasura me fibra, proteina, vitamina dhe me minerale, nuk është për t’u habitur që rezultatet e studimeve të ndryshme kanë treguar se konsumimi i rregullt i arrave mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, të disa lloje kanceresh dhe diabetin e tipit 2, transmeton "Zeri.info".

Në studimin e fundit hulumtuesit nga universiteti i “Scranton”-it në Pensilvani kanë analizuar antioksidantët në disa lloje të frutave me lëvozhgë: arra, bajame, kikirikë, fëstëkë, lajthi, arra braziliane dhe arra indiane.

“Arrat janë renditur më sipër se të tjerat. Një grusht me arra përmban gati dy herë më shumë antioksidues se e njëjta sasi e çdo frute tjetër me lëvozhgë. Për fat të keq, njerëzit thjesht nuk hanë arra në sasi të mjaftueshme. Hulumtimi ynë tregon se si pjesë e një ushqimi të shëndetshëm duhet të hani më shumë arra”, tha shefi i hulumtimit, Joe Vinson.

Ekspertët këshillojnë t’i konsumoni ato të papërpunuara, jo të përpunuara, sepse në këtë mënyrë zvogëlohen vetitë antioksiduese. /ZËRI/