Arsyeja kontradiktore pse gratë inteligjente nuk po lindin fëmijë

Lifestyle September 11, 2018 - 16:29
Lexo detajet

Një studim kontradiktor nga studiuesi i London School of Economics, Satoshi Kanazawa zbuloi një relacion interesant mes inteligjencës dhe dëshirës për t’u bërë nënë.

Gratë duket sikur nuk gjejnë dot paqe. Pavarësisht zgjedhjes, gjithmonë fajësohen. Janë ose shumë të shëndosha, ose shumë të dobëta. Ose shumë joshëse, ose jo sa duhet. Jemi ose shumë inteligjente ose shumë budallaqe. Ne jemi shumë kështu, shumë ashtu, jo mjaftueshëm kështu, jo mjaftueshëm ashtu. Tani në këtë listë shtohet që nuk kemi “mjaftueshëm” dëshirë për të pasur fëmijë.

Në librin e tij “The Intelligence Paradox: Why the Intelligent Choice Isn’t Always the Smart One”, “Paradoksi i inteligjencës: Pse zgjedhja inteligjene nuk është gjithmonë më e zgjuara”, Kanazawa thotë që për çdo 15 pikë të Koeficienit të Inteligjencës IQ që ka gruaja, dëshira e saj e mëmësisë ulet me 25 për qind.

Ai thotë që sa më e zgjuar të jetë gruaja, aq më pak mundësi ka që ajo të ketë dëshirë të ketë fëmijë. Mund të tingëllojë si një korrelacion shumë i thjeshtë, por ka disa statistika të besueshme që mbështesin përfundimin e Kanazawa-s.

Të dhëna nga Qendra Kërkimore Pew thonë që “gratë më të arsimuara janë ende në grupin e atyre që ka më shumë mundësi të mos lindin kurrë fëmijë.”

Kështu që ka një përputhje me studimin e Kanazawas: Sa më e zgjuar je, aq më pak gjasa ka të kesh fëmijë. Veç kësaj, megjithatë, përfundimet e tij përmbajnë shumë kontradikta, por nuk është rezultati që i ka mërzitur njerëzit, por shpjegimi.

Duke qenë një psikolog i evolucionit, diskutimi i Kanazawa-s fokusohet në rolin që luan riprodhimi në jetën e “organizmave të gjallë”. Ai shkruan në studim: “Nëse ka ndonjë vlerë që është thellësisht evolucioniste për familjen, është suksesi riprodhues. Të gjitha organizmat e gjalla në natyrë, përfshirë njerëzit, janë evolucionarisht të projektuara për t’u riprodhuar, suksesi riprodhues është qëllimi i fundmë i të gjithë ekzistencës biologjike…

Të kesh fëmijë dhe të kesh aq sa mundesh potencialisht nga koha kur je aktiv e deri sa fëmijët mund të riprodhohen vetë, është një qëllim familjar evolucioni. Në të kundërt, të mos lindësh fëmijë vullnetarisht është diçka e re dhe e panjohur në këtë proces…

Ja ku është problemi: Gratë nuk janë thjesht një “organizëm i gjallë” që ekzistojnë në bazë të rregullave të “evolucionit”. Qeniet njerëzore nuk është e thënë të luftojnë duke konkurruar për të siguruar burimet derisa të riprodhohen dhe të rrisin të vegjlit në xhungël. Qeniet njerëzore kanë ide të pafundme dhe aftësinë dhe dëshirën për t’i përdorur ato për të menduar dhe reflektuar mbi jetën. Ne angazhohemi. Ne u japim kuptim përvojave dhe i pasurojmë. Ne analizojmë me kujdes çështjet e moralit dhe gjykimet. Ne zgjidhim probleme komplekse, i survejojmë këto zgjidhje dhe analizojmë efektivitetin e tyre. Është e padrejtë ta thjeshtëzosh ekzistencën e një qenieje njerëzore, veçanërisht një gruaje, te riprodhimi.

Ne nuk jemi kafshë, baktere apo diçka tjetër që Kanazawa e vendos në kategorinë e “organizmave të gjallë”. Jemi shumë më komplekse sesa aq.

Problemi tjetër i shpjegimeve që ai u bën përfundimeve të tij, është që ato ushtrojnë shumë presion te gratë pa fëmijë. Ja çfarë shkruan:

Inteligjenca e përgjithshme është shumë e trashëgueshme dhe gjenet që ndikojnë në të mendohet që ndodhen në kromozomet X … Kjo do të thotë që djemtë e trashëgojnë inteligjencën vetëm nga nënat, ndërsa vajzat e trashëgojnë inteligjencën nga mamaja dhe babai. Kështu që gratë e ndikojnë inteligjencën e brezave të ardhshëm më shumë sesa burrat. Nëse gratë më inteligjente nuk bëjnë fëmijë…një pasojë është që niveli mesatar i inteligjencës së përgjithshme do ulet me kalimin e kohës.

Me pak fjalë, sipas Kanazawa, gratë inteligjente po i bëjnë një të keqe së ardhmes së njerëzimit duke mos e shpërndarë intelgjencën e tyre nëpërmjet riprodhimit. Kjo duhet të jetë një kompliment i fshehtë. Gratë duhet të ndihen shumë të përkëdhelura nga vlera që Kanazawa u jep grave inteligjente. Në fund të së gjithës, ai po thotë që trutë tanë janë shumë të mirë për t’u përdorur vetëm nga një brez, nga ne domethënë dhe pastaj të zhduken.

Por ka një problem të madh dhe me pjesën tjetër të arsyetimit, që ua vë fajin vetëm grave për faktin që nuk kanë fëmijë dhe nuk merr në konsideratë gjithë faktorët socialë që ndikojnë në vendimet e tyre për fëmijët. Ka shumë arsye konkrete pse gruaja nuk lind, që nga pamundësia fizike, te fakti që do të fokusohen te martesa ose, më e rëndësishmja, nuk ka mbështetjen e duhur sociale për të qenë një nënë që punon.

Edhe pse një faktor social nuk mund të jetë vendimtar në dëshirën e një gruaje për të pasur fëmijë, ta vendosësh peshën e së ardhmes së botës në shpatullat e saj, është një barrë e paarsyeshme.

Diskutimi që i bën Kanazawa zbulimeve të tij e trajton gruan si një mjet për të realizuar një qëllim. Sipas Kanazawa-s, ato nuk kanë të drejtë të vendosin. Ato kanë dy zgjedhje: ose të riprodhohen ose ta bëjnë botën një vend më budalla. Mirë, po ajo që duan gratë? Po nevojat e saj? A ka ndonjë rëndësi ajo? Për Kanazawa, jo. Por duhet të ketë.

Lumturia e saj ka rëndësi dhe nuk është e domosdoshme që ajo të ketë fëmijë për të pasur një jetë të lumtur dhe të realizuar.

Në fakt, shumë deklarata vënë shenjën e barazimit mes lumturisë dhe fëmijëve, por Pew Research Center thotë që marrëdhënia mes këtyre të dyjave është më e komplikuar sesa mendojnë njerëzit që fajësojnë gratë që nuk kanë fëmijë. Ata thonë që “prindërimi në vetvete nuk mund të jetë bileta drejt lumturisë”, por kënaqësia vjen nga ndërveprimi i martesës, prindërimit dhe lumturisë.

Nëse një grua nuk dëshiron të ketë fëmijë, ajo nuk është e përqendruar te vetja, si mendojnë njerëzit. Ajo nuk po i bën ndonjë të keqe shoqërisë dhe nuk është katalizatori i shkatërrimit të njerëzimit, shkruan revista class. Ata që mendojnë që është kështu, duhet të shkojnë në qendrat e adoptimit që janë plot me fëmijë.

Mos duam mama që lindin fëmijë për t’ua lënë punonjësve socialë? Nuk mendoj. Në vend që të bëjmë me turp gratë që nuk përmbushin përkufizimin e ngushtë të dikujt për suksesin, siç bën Kanazawa në studimin e tij, është koha t’u japim lirinë për të jetuar jetën si duan.

Dhe nëse kjo do të thotë që nuk dëshirojnë fëmijë, atëherë ato nuk dëshirojnë fëmijë. /Telegrafi/