Të dukeni i stresuar ju ndihmon në jetën sociale

Lifestyle September 13, 2017 - 13:09

 

Nëse e kruani kokën mund t’ju parandalojë që të futeni në ndonjë grindje, ka zbuluar një studim i ri.

Simptomat e stresit të dëshmuara me shkencë, si psh. kur e shohim dikë duke e kruar kokën mund ta reduktojë agresivitetin dhe ta ulë rrezikun për konflikt, shkruan The Independent, transmeton Klan Kosova.

Studimi, i kryer në primatë nga Jamie Whitehouse i Universitetit të Portsmouth, tregoi që kohezioni social mund të jetë i dobishëm nëse shfaqeni të stresuar duke u kruar.

Ndërsa, Whitehouse beson që këto rezultate mund të vlejnë edhe për njerëzit gjithashtu.

“Sjelljet e vëzhgueshme të stresit mund të kenë evoluuar si mënyrë e reduktimit të agresivitetit në speciet e komplekse sociale tek primatët”, shpjegon Whitehouse.

“T’ua shfaqni të tjerëve që jeni të stresuar mund t’i sjellë dobi edhe të stresuarit por edhe atyre që po shikojnë, sepse të dyja palët mund ta shmangin konfliktin”, shtoi ai.

Ekipi hulumtues monitoroi sjelljen e një grupi të “rhesus macaques” në Porto Riko, për tetë muaj, dhe gjeti që majmunët ishin më të prirur që ta kruajnë veten gjatë kohës së stresit të lartë, psh. kur janë afër majmunëve me të cilët nuk njihen mirë.

“Kruajtja nga stresi” në mënyrë substanciale reduktoi rrezikun që majmuni të sulmohet, zbuluan shkencëtarët.