Marrëdhëniet në distancë, për mirë apo për keq?

Lifestyle March 25, 2017 - 13:18

Tre çifte tregojnë lidhjet e tyre në largësi, problemet që ka mungesa e pranisë dhe avantazhet e përkushtimit që sjellin kilometrat e distancës.

Jo gjithnjë ia del të triumfojë dashuria në largësi, por kur ia del, është e fuqishme dhe e pandashme.

Dashuria nuk njeh kufij, thotë shprehja e famshme. Por çfarë ndodh në rastet specifike nga jeta e njerëzve? Njihuni me tri historitë e marrëdhënieve të dashurisë në distancë dhe mësoni fatin e secilit çift.

Të ndjekësh partnerin për të jetuar në një tjetër shtet për punën e tij mund të jetë e mjaftueshme për të shprehur se sa e dëshironi, por çfarë ndodh kur njëri prej partnerëve nuk mund të lëvizë?

Amy Rogerson, 32 vjeçe, shkoi nga Anglia në Libi për të qenë me partnerin e saj prej një viti.

Dy javë pasi çifti filloi lidhjen, të dashurit të saj të ri iu desh të kthehej në Libi për punë.

“Ne do të thoshim lamtumirë, por ai më telefonoi nga aeroporti dhe folëm për këtë gjë. Edhe pas vetëm dy javësh ne e dinim se donim t’i zotoheshim njëri-tjetrit ose të paktën të përpiqeshim për këtë, ndaj ruajtëm kontaktet”, tregon Amy.

Megjithatë edhe kjo rezultoi një sfidë.

“Lidhja e internetit nuk ishte gjithnjë mjaftueshëm për të bërë një telefonatë në Skype”, kujton Rogerson. “Dhe kur lideri i Libisë, Gaddafi, ishte në qytet, ajo pritej plotësisht.”

Pas një viti lidhjeje në distancë me partnerin e saj ende në Libi, Rogerson la punën si një administratore dhe bëri lëvizjen e madhe për të qenë me të. “E kuptuam se kishim nevojë për një zgjidhje”, shpjegoi ajo.

Pas pesë vitesh, një dasme dhe katër shtetesh, çifti e gjeti përsëri veten në të njëjtën situatë. Ndërlikimet e mundshme gjatë shtatzënisë së Rogerson e detyruan atë të largohej nga shtëpia atëherë në Tanzani dhe bashkëshorti i saj për t’u kthyer në Britani për gjashtë muaj.

“Periudha përpara lindjes ishte shumë e vështirë për mua dhe e trishtueshme për partnerin tim”, sjell në mendje ajo. “Më parë isha unë ajo që prisja, por kësaj here kisha një bebe me të cilin duhej të merresha.”

Këto dy momente të rëndësishme të lidhjes në distancë u përjetuan ndryshe nga çifti.

“Herën e parë, ne u bëmë shumë të afërt brenda pak kohe dhe rezultoi të ishte diçka e mirë për ne. Herën e dytë e dinim se largësia ishte e nevojshme dhe do ta kishim më të vështirë, por gjithsesi nuk do të ndikonte në martesën tonë. Si në rastin e parë, edhe në të dytin, ishte e tmerrshme. Pas tyre ne ramë dakord se nuk do ta bënim më”, rrëfen Amy.

Të rrish apo të ikësh?

Për punonjësen humanitare franceze, Elise Brauard, 29 vjeçe, e cila ka jetuar në gjashtë shtete të ndryshme, ky vendim është gjithnjë shumë i vështirë për t’u marrë.

“Nuk mund ta trajtosh lidhjen në distancë sikur të ishte një marrëdhënie normale”, shpjegoi Brauard. “Nuk është normale, sepse ti humbet shumë gjëra. Është e vërtetë që komunikon dhe shihesh përditë në Skype, por nuk është e njëjta gjë. Ai person nuk është vërtet në një dhomë me ty. Është shumë e vështirë.”

Por ajo beson se kjo nuk mund t’ju ndalojë ta provoni.

Lidhja e saj e fundit në distancë filloi ndërsa jetonte në Pakistan. Pas një viti, partneri i saj pranoi një pozicion për në Afrikën Veriore dhe e pranoi atë. Të dy ishin të pavarur dhe kishin qenë në të njëjtën situatë më parë, ndaj e dinin si është lidhja në distancë.

“Ne folëm më herët se si do të komunikonim dhe sa shpesh. Nëse nuk arrinim, planifikonim diçka për ditën tjetër, pasi asnjëri prej nesh nuk donte të rrinte gjithë ditën në shtëpi duke pritur telefonatën.”

Çifti kishte gjithashtu një axhendë pushimesh që do t’i ribashkonin, por njëkohësisht do t’u ofronin eksperienca të reja në vende të panjohura.

“Udhëtimet ishin kënaqësi e madhe për ne”, shpjegon Brouard. “Nëse ke vetëm 10 ditë kohë për të qenë me dikë, kjo e bën eksperiencën më intensive. Nuk dëshiron të humbasësh as edhe një sekondë të saj, sepse është ndjesi e bukur të jesh më në fund me dikë.”

“Në fund, distanca e shkatërroi atë”, pranon Brouard. “Unë e mora karrierën që doja, por ndarja ishte një vendim i vështirë për t’u bërë.”

Ndarja nuk shmanget ndonjëherë

Disa çifte nuk kanë zgjidhje tjetër. Steve Tizzard, 39 vjeç, dhe Jackleen Ryder, 32 vjeçe, u njohën teksa jetonin në Japoni. Ata jetuan së bashku për dy vite e gjysmë përpara se puna dhe detyrimet e vizës t’i detyronin të ktheheshin në partnerë në largësi.

“Çdo herë të merr malli për personin tjetër”, kujton Ryder. “Rrethohesh nga njerëzit, por përsëri ndihesh vetëm. Ndonjëherë kjo të inkurajon të bësh gjëra të tjera, fillova për herë të parë palestrën, mora mësime joga dhe kërcimi tradicional japonez”.

Për Tizzard, pati një efekt të ngjashëm. “Aftësitë e mia të gjuhës japoneze nuk ishin shumë të mira, zakonisht Jackleen përkthente për mua”, thotë ai. “Pa të u ndjeva pak i izoluar mes miqve të mi japonezë, por fillova ta mësoj më shumë gjuhën.”

Ndoshta ndryshimi më i madh që përjetuan ishte sasia e kohës kur komunikonin.

“Kur je me një person çdo ditë mund të ulesh pranë tij dhe ta kesh mendjen në një vend tjetër. Por kur je në një lidhje në largësi, papritur fillon të bësh biseda intensive, ndaj mendoj se kjo të sjell më afër me tjetrin”, tha Tizzard.

Pas një viti lidhjeje në largësi, çifti i ndarë mes Japonisë dhe Britanisë u fejua në Osaka për të kurorëzuar dëshirën për të qenë gjithnjë bashkë.

“Mendoj se kur je larg, nuk e merr partnerin për të mirëqenë”, thotë Ryder. “Është si një test ndarjeje, e di se si është të jesh pa të dhe e kupton se nuk është gjë e mirë. Mua kjo gjë më ndihmoi ta ndaja mendjen: ky është personi me të cilin dua të jem.” /Telegrafi/