Lumturia, lëndë e re mësimore në Indi

Kuriozitete July 21, 2018 - 22:44
Lexo detajet

Lënda e lumturisë është bërë pjesë e kurrikulës së arsimit në më shumë se 1.000 shkolla në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.

Lënda e lumturisë, që është projekt i ministrit të Arsimit, ka filluar të praktikohet në më shumë se 1.000 shkolla që nga fillimi i kësaj jave dhe çdo ditë zgjat nga 30 deri në 45 minuta.

Në kuadër të programit nxënësit ndahen në 3 grupe, duke filluar nga fëmijët e moshës së kopshtit deri në klasën e 2-të, nga klasa e 3-të deri në klasën e 5-të dhe nga klasa e 6-të deri në klasën e 8-të.

Në lëndën e lumturisë ku suksesi nuk do të llogaritet me notë, nxënësit nuk do të hyjnë në provim dhe nuk nevojiten që të bëjnë detyra. Qëllimi i lëndës, e cila fokusohet në nevojat emocionale dhe shpirtërore të nxënësve, është që të zhvillojë inteligjencën emocionale me aktivitetet si meditimi dhe rrëfimi i tregimeve.

Me këtë lëndë shpresohet që fëmijët dhe të rinjtë të mund të ballafaqohen me çrregullimet e depresionit, ankthit dhe stresit.

Në mesin e temave që do të trajtohen në lëndën e lumturisë janë aktivitetet që bazohen në vetëdije dhe vlera si dhe shprehja e vetvetes.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo i katërti fëmijë i moshës 13-15 vjeçare në Indi ballafaqohet me depresionin. /Albinfo