Kuriozitete

Të jetosh me bletët

Të jetosh me bletët
15 korrik 2018 • 13 : 46

Si është të jetosh me bletët? Ja historia e një personi që rrit bletët

Arjan Zogu është bletërritës nga fshati Valikardhë i Bulqizës. Pasionin e ka të trashëguar nga i ati, por nga 3 koshere që kishte i ati dekada më parë, sot Arjani numëron 250 të tilla.

“Viti 2005 ishte i pari që kam pasur mbi 80 copë dhe kam nxjerrë rreth 15 kuintalë mjaltë, ndërsa viti i dytë është ky i sivjetshmi”, shprehet për TCH Arjan Zogu.

E gjithë familja e ndihmon. E ëma është 76 vjeç, por me bletët ka nisur të merret që 16 vjeç.

Falë natyrës bujare në fshatrat e njësisë Zerqan, ky bletërritës thotë se nxjerr 1.200 kg mjaltë të llojeve të ndryshme.

“Ky lloj mjalti është me cilësi shumë të lartë, ka shumë vitamina dhe është ndër më të mirët, sepse vjen nga lulet e një vendi të pastër, pa makina apo fabrika që të shkaktojnë ndotje”, thotë më tej Arjani.

Shumë koshere i mban rreth shtëpisë, por prodhimi nuk del pa vështirësi dhe përballet shpesh me konkurrencë të pandershme.

“Neve po na prish shumë punë mjalti maqedonas, që po e fusin si bletarët, ashtu dhe ata që nuk merren me rritjen e bletëve, në mënyrë të paligjshme. Ky mjalt shitet nëpër rrugë”, deklaron Ariani.

Edhe pse e ka shtuar prodhimin me metodat moderne të ditëve të sotme, sfida e Arianit është që një ditë të arrijë të prodhojë mjaltë si dikur, me hoje natyrale të bletëve primitive, siç i quajnë bletërritësit.

 

© zëri.info