Kuriozitete

Misioni 'top secret' që zbuloi Titanikun

Misioni 'top secret' që zbuloi Titanikun
17 qershor 2018 • 19 : 27

A e keni ditur se si ishte zbuluar anija e famshme 'Titanik'?

Kërkimi që u finalizua me zbulimin e titanikut të famshëm, ishte në fakt një mision sekret amerikan për gjetjen e dy nëndetëseve të mbytura gjatë luftës së ftohtë.

Ekspedita në 1985, u kryesua nga një ish oficer i zbulimit të marinës amerikane, dr Robert Ballard.

Ai thotë se presidenti Ronald Reagan e kishte ngarkuar me detyrën e kërkimit të dy nëndetëseve të humbura.

Ballard tha se krejt rastësisht mes dy nëndetëseve, ishte gjendur titaniku i mbytur.

Eksplorimi në shtator 1985, zbuloi anijen që ndodhej në një thellësi prej 2.5 miljesh, rreth 370 milje larg brigjeve të Newfoundland në Kanada.

Duke folur për National Geographic, Ballard thotë: lufta e ftohtë është luftuar më së shumti nën det dhe pjesa më e madhe e saj nuk është bërë kurrë e njohur për popullin amerikan.

“Presidenti Reagan donte që unë të kryeja një mision për gjetjen e dy nëndetëseve të luftës së ftohtë, dhe rastësisht e fatmirësisht, mes tyre, u gjend Titaniku. Më kishin mbetur vetëm 12 ditë kohë deri në përfundimin e misionit, kur unë e gjeta atë…", shton Ballard.

Në atë kohë, ekipi i kërkimit zbuloi foto të anijes por tha se nuk kishin plane për ta nxjerrë atë nga fundi i detit apo për të eksploruar brendësinë e saj.

Vitin që pasoi, Ballard u rikthye në vend dhe bëri 11 zhytje në një nëndetëse të vogël me vetëm tre vende.

Titaniku, anija më e madhe në botë e pasagjerëve në kohën kur hyri në shërbim, ishte ndërtuar në Belfast.

Ajo u mbyt në udhëtimin e saj të inaugurimit, në 1912, dhe më shumë se 1500 persona në bord, humbën jetën. /TCH/

© zëri.info