Kuriozitete

Truproja e Bin Ladenit, në Gjermani përfiton 1.100 euro në muaj

Truproja e Bin Ladenit, në Gjermani përfiton 1.100 euro në muaj
24 prill 2018 • 15 : 27

Shkruajnë mediat gjermane

Një tunizian që dikur mbronte nga afër Osama Bin Ladenin, jeton në Gjermani prej vitit 1997 dhe përfiton plot 1.168 euro ndihmë sociale çdo muaj.

Shifra është zbuluar nga një qeveri rajonale, pasi “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), një parti e ekstremit të djathtë hapi debatet mbi një person të quajtur Sami A.

Media gjermane nuk e raporton emrin e plotë të tij, për shkak të kufizimeve ligjore mbi privatësinë. E megjithëse ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Bin Ladenit, truprojë e tij, ai mohon lidhjet me xhihadistët.

Deportimi në Tunizi është përjashtuar, për shkak se dyshohet se ai mund të torturohet nëse dërgohet atje. Tortura, ndërkohë, është e ndaluar bazuar mbi Konventën europiane të të Drejtave të Njeriut.

Bin Laden drejtoi rrjetin xhihadist “al-Qaeda” dhe miratoi sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, përpara se të qëllohej për vdekje nga forcat speciale amerikane në Pakistan, në vitin 2011.

Të paktën 3 nga pilotët kamikazë të sulmeve të 11 shtatorit ishin pjesëtarë të qelizave të “al-Qaeda”-s të bazuara në Hamburg, në veri të Gjermanisë.

Sipas dëshmitarëve të një gjyqi antiterror në Gjermani, në vitin 2005, Sami A. kishte shërbyer për disa muaj gjatë vitit 2000 si një prej truprojave të Bin Ladenit në Afganistan. Ai e mohon këtë, por gjykatësit në Dyseldorf u besuan më shumë dëshmitarëve.

Sami A. u hetua për lidhjet e pretenduara me “al-Qaeda”-n, por nuk u akuzua formalisht. Ai jeton në Bochum së bashku me bashkëshorten gjermane dhe 4 fëmijë. Pasi mori lejen e rezidencës së përkohshme në Gjermani, në vitin 1999, ai iu nënshtrua disa kurseve teknologjike dhe u transferua në Bochum në vitin 2005.

Aplikimi i tij për azil u refuzua në vitin 2007, sepse autoritetet e listuan atë si një rrezik për sigurinë. Ai thuhet se paraqitet çdo ditë në stacionin më të afërt policor./TCh

© zëri.info