Frika kur data 13 është e premte: Historia e një 'mallkimi'

Kuriozitete April 13, 2018 - 08:29
Lexo detajet

Për supersticiozët numri 13 sjell ters, po ashtu edhe dita e premte, por edhe kur bëhen bashkë këto dyja, si dita e sotme, mundohen të shmangin lëvizjet, të shtyjnë takimet për një ditë tjetër.Sipas vlerësimeve, më shumë se 60 milionë persona në të gjithë botën ndikohen shumë nga kjo ditë dhe preferojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Data 13 dhe e premtja konsiderohen secila si ters, por kur bashkohen, kombinimi është “katastrofik”.

Nëpër disa linja aeronautike, prej kohësh radha 13 nuk figuron më. Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e kombinimit të kësaj date dhe dite.

Numri 13 është numër ters që thyen numrin e plotë 12.

Dymbëdhjeta shihet si numër i plotë, si reflektim i 12 muajve të vitit, 12 numrave të orës, 12 perëndive të Olimpit, 12 fiseve të Izraelit, 12 apostujve të Jezusit, 12 ndjekësve të Muhamedit në besimin islam shiit, 12 shenjave të zodiakut e të tjera.

Sa i përket së premtes, ajo konsiderohet një ditë ters të paktën që prej shekullit XIV. Gjithashtu e premte ishte edhe dita e kryqëzimit të Jezu Krishtit.

Pse numri 13 konsiderohet kaq i pafat sipas historianëve

Studiuesit tregojnë se të paktën 10% e popullsisë amerikane është e frikësuar nga numri 13, dhe aq më tepër kur data 13 përkon me ditën e premte.

Njerëzit shmangin martesën në këtë datë, udhëtimet janë më pakta, madje dhe ditët e punës. Por çfarë ka kaq të pafat numri 13 dhe si ka filluar ky supersticion numerik?

Miti i hershëm përreth origjinës së frikës është përfshirë në një nga dokumentet më të vjetra ligjore në botë, Kodi i Hamurabit, në të cilin thuhet se mungon ligji i 13 nga lista e rregullave ligjore.

Por në fakt, lënia jashtë e këtij ligji nuk ishte gjë tjetër veç se një gabim klerik i bërë nga një prej përkthyesve më të hershëm të dokumentit i cili nuk përfshiu një linjë të tekstit.

Matematicienët dhe shkencëtarët, ndërkohë, vënë theksin te numri 12, shpesh i konsideruar si numri i përsosmërisë në botën e lashtë. Sumerët e lashtë zhvilluan sistemin numëror të bazuar në përdorimin e 12-s, që ende përdorët për të matur dhe kohën e sotme: Kalendarët me 12 muaj, gjysma e ditës me 12 orë etj.

Frika për numrin 13 duket edhe në disa teori popullore, të cilat kanë të bëjnë të dyja me të ftuarin e 13-të në ngjarje në antikitet.

Gjithashtu duket sikur frika e pashpjegueshme që rrethon numrin 13 është një konstrukt kryesisht perëndimor.

Disa kultura, duke përfshirë egjiptianët e lashtë, e konsiderojnë si numër me fat, ndërsa disa kultura të tjera shmangin numra të tjera si për shembull në Azi, numri 4 shmanget.

Sipas Qendrës së Menaxhimit të Stresit në Karolinën e Veriut, më shumë se 80% e ndërtesave të larta në SHBA nuk e kanë katin e 13, dhe po ashtu hotelet, spitalet dhe aeroportet shmangin përdorimin e dhomës me numër 13.

E “premtja e mallkuar” i kushton ekonomisë

E “premtja e mallkuar” i kushton rëndë ekonomisë botërore, veçanërisht linjave ajrore që në këto ditë përballen me fluturime pothuajse të boshatisura. Sipas një studimi të realizuar nga një institut amerikan, kjo datë shkakton qindra milionë dollarë dëme në ekonomi.

Sipas “Huffington Post”, ish-presidenti i SHBA-ve, Franklin D. Roosevelt ka qenë një prej atyre që besonin më shumë tek tersi i të premtes së mallkuar. Ai refuzonte çdo pritje ku ishin 13 të ftuar dhe gjithashtu nuk udhëtonte kurrë në datën 13.

Për ata që besojnë tek ky supersticion, ka një lajm të keq. Nuk mund të ndodhë kurrë që një vit të mos ketë të paktën një të premte me datën 13. Shpesh ndodh të jenë dy ditë të tilla, ndërsa në raste të rralla, mund të jenë deri në tre.