Grejkoci, fshati me më së shumti mërgimtar

Kuriozitete March 05, 2018 - 11:51

Grejkoci është një fshat i komunës së Therandës, i cili tashmë konsiderohet si fshati më i madh i kësaj komune. Sipas Idriz Selimajt, zëvendësministër dhe veprimtar i fshatit Grejokc, fshati ka 500 shtëpi. Ai tregon për gazetën “Kosova Sot” se janë 70 shtëpi, të cilat, për fat të keq, janë nën dry dhe oborret e tyre i ka mbuluar bari. Selmanaj thekson se fshati mundohet të ruajë traditat në forma të ndryshme, kurse dhembje e përgjithshme e këtij fshati, si edhe e shumë të tjerave në Kosovë, tashmë është bërë pikërisht kurbeti.

Image

 

Ky fshat gjithmonë ka pasur atdhetarë të devotshëm Ndërkaq, lidhur me atë se ky fshat vërtet i ka ruajtur traditat e lashta flet për “Kosova Sot”, edhe veprimtari i dalluar i këtij fshati të bukur Servet Zmalaj, i cili thekson se fshati Grejkoc gjithmonë ka pasur atdhetarë të devotshëm, të cilët kanë luftuar për të drejtat e popullit shqiptar. Ai me këtë rast ka veçuar rastin e Eqrem Halim Zmalajt, i cili ishte bashkëluftëtar i Zenin Kepës dhe ishte njëri ndër atdhetarët e çështjes kombëtare, sikurse ishte edhe Rrustem Rexhë Qelaj. Këta ishin dhe do të mbeten kolosë të shqiptarisë. “Qysh nga fëmijëria ishin të dalluar në familje dhe farefis, ishin të përkushtuar për familje, farefisin dhe kombin, të cilët padrejtësitë dhe robërinë gjithmonë i kanë luftuar. Gjatë gjithë jetës së tyre punuan dhe ishin përkrahës të të gjitha lëvizjeve për çlirimin e vendit dhe ata dëshmuan se si luftohet për lirinë e popullit shqiptar. Gjaku i tyre iu falë Kosovës, të cilën e deshën më shumë se jetën. Dhe, falë gjakut të tyre, ne sot e gëzojmë lirinë” , thotë Servet Zmalaj. Mirëpo, tashmë për faktin se shumë banorë e kanë lëshuar Grejkocin ka rënë edhe numri i nxënësve në shkollën e këtij fshati. “Ky fshat dikur ka pasur 800 e më shumë nxënës dhe tani, për fat të keq, numri i nxënësve ka rënë në 413 nxënës”, thotë veprimtari dhe zv. ministri Selimaj.

Image

 

Ruajtja e traditave të lashta

Traditat e dasmave dhe vdekjeve tashmë ende ruhen në formë tradicionale. Kurse, ajo që e bën krenar fshatin është pikërisht lavdia e burrave atdhetarë që kishte fshati. Kurse banorët e fshatit, e sidomos intelektualët, e kanë një brengë të përbashkët, e ajo brengë është kurbeti, ngase qindra nxënës po ikin në Perëndim. Këtë brengë ata mendojnë se do ta rishqyrtojnë në të ardhmen, është konkludim i përbashkët i z. Selimaj dhe z. Zmalaj. Infrastruktura e këtij fshati, falë angazhimeve të banorëve, është përmirësuar dukshëm dhe atë falë punës vullnetare të banorëve të këtij fshati, të cilët me kontributin e tyre kanë ndikuar që banorët e mbetur të kenë kushte më të mira jetese. Mirëpo,megjithatë, brengë e madhe është se në këtë fshat tashmë shumë oxhaqe nuk tymojnë. Edhe pse ka shumë shtëpi të ngritura modrene, shumica nga to janë të mbyllura, ngase për shkak të kushteve të këqija ekonomike janë detyruar të largohen përkohësisht nga Kosova për një jetë më të mirë dhe me shpresë se një ditë do të kthehen në Grejkoc dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e këtij fshati.